Ngecja e bisedimeve, LDK ka një ofertë të re për Vetëvendosjen

  • 03 dhjetor 2019 - 12:54
Ngecja e bisedimeve, LDK ka një ofertë të re për Vetëvendosjen

Lidhja Demokratike e Kosovës, ia ka propozuar edhe një skenar tjetër partisë së Albin Kurtit, në rast se këta nuk pajtohen t’ia japin LDK-së, postin e Presidentit, të Krye parlamentarit si dhe pesë Ministri. Nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu thotë për  media se Vetëvendosje mund të zgjedhë edhe që t’ua lënë pozitën e kryeministrit, e ministritë, që t’a marrin pozitën e të parit të shtetit, e të Kreut të Kuvendit. Si dhuratë për këtë, Veliu ua premton edhe një ministri plus

Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dy partive të dala të para nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, nuk po u shkon fortë mirë diskutimi për pozita, në fazën e fundit të përpjekjeve për të krijuar qeverinë e ardhshme.

Ani pse, pas disa takimeve që patën në nivel të grupeve punuese, deklaruan se kanë harmonizuar programin 100 për qind, takimet kokë më kokë në mes të Albin Kurtit e Isa Mustafës, po përcillen me mospajtime.

Derisa afati ligjor për të thirrur seancën konstituive të Kuvendit, veçse ka filluar, partitë që premtuan lidhjen e marrëveshjes menjëherë pas certifikimit, kanë ngecur në pikën e ndarjes së pazarit.

VV me gjasë kishte menduar se nëse radhitet si parti e parë do ta ketë të lehtë punën me partinë e Mustafës, këta të fundit po insistojnë se ndarja e ministrive duhet të bëhet sipas principit “fifty-fifty”.

Dje Kurti u pa megjithatë optimist derisa u nis për t’u parë në Kuvend të Kosovës me Isa Mustafën, mirëpo, lajmin që tha se do ta jepte 72 orë pas certifikimit, nuk arriti që ta transmetonte para mediave.

Mustafa në anën tjetër, kishte shkuar në takim me Kurtin me disa kërkesa, për të cilat ishte vendosur në kryesi të LDK’së.

Agim Veliu, nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar sot gjatë ditës për median se arsyeja se pse dje nuk u arrit marrëveshja LDK – VV  ishte sepse dy partitë duan që të detajizojnë mirë të gjitha çështjet në mënyrë që të mos ketë probleme në vazhdimësi.

“Po donë me i detalizu mirë të gjitha çështjet që mos me pas probleme në vazhdimësi, nuk e besoj për ndonjë ministri të caktuar, ne jemi marrë vesh ashtu në LDK që me pas ndarje të barabartë edhe tash është çështje e atyre si e vlerësojnë ata”, thotë Veliu.  Ai  shton se bisedimet s’kanë ngecur për shkak të ndonjë ministrie të caktuar, pasi diskutimet s’kanë arritur në atë pikë.

“Jo nuk kemi pas kërkesë për ministri të caktume, s’kemi kalu në atë fazë, nuk kemi kalu në atë fazë të bisedimeve”, shton tutje.

Agim Veliu thotë se dy partitë e dala të si më të votuara nga zgjedhjet, para se të hyjnë në koalicion duhet të vendosin për punën e presidentit, në mënyrë që të mos shkohet përsëri në zgjedhje, brenda një viti e gjysmë.

“Puna e presidentit duhet të jetë në tavolinë, sigurisht duhet të definohet, sepse pas një viti e gjysmë puna e presidentit mund ta çojë vendin në zgjedhje përsëri, duhet të definohet të kenë qëndrim. Na e kemi kërku që ajo të jetë e LDK-së që të propozojë një kandidat, sigurisht ata duhet të marrin obligim, që të punojnë, ai kandidat që të propozohet nga LDK-ja të zgjidhjet. Edhe krye parlamentarin”, thotë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Agim Veliu ka bërë të ditur për  median se në parti janë pajtuar që në rast se VV nuk pranon skenarin që këta të marrin presidentin, krye parlamentarin, të ua ofrojnë këto pozita atyre, në mënyrë që kryeministri t’i kalojë LDK-së.

Veliu thotë se në këtë mënyrë, LDK-ja do t’ia jepte edhe një ministri shtesë VV-së, pra 6+4.

“Ne kemi menduar që kryer parlamentari, presidenti dhe gjysma e ministrive me i taku LDK-së, pjesa tjetër, kryeministri me ministri me i taku VV-së, ose e kundërta. Nëse atyre ju duket shumë, mund të bëhet edhe e kundërta, ne e pranojmë edhe variantin e kundërt, kryeministri me qenë i yni e ndoshta edhe ndonjë ministri tepër ua kishim dhanë”, ka bërë të ditur ai.

LDK dhe VV sot do të pauzojnë nga takimet në nivel të liderëve, si reflektim mbi kërkesat e Mustafës për Kurtin. Mbledhja e ardhshëm, kurdo që caktohet do të jetë për të parë përgjigjen e të parit të VV-së, mbi çështjet që ngriti LDK-ja.

Dy partitë tashmë kanë siguruar votat e nevojshme për Kuvend të Kosovës, nëse arrijnë që të pajtohen. Procesi i zgjedhjes është në dorë të presidentit Hashim Thaçi.

(Kosova Sot Online)