Partia e Gjuriqit përmes një komunikate tregon se çka po kërkon anëtari i saj në Tiranë

  • 08 December 2019 - 07:54
Partia e Gjuriqit përmes një komunikate tregon se çka po kërkon anëtari i saj në Tiranë

Partia e Marko Gjuriqit, SNS,  ka reaguar për takimin në Tiranë me Xhelal Sveçlën, Ardian Gjinin e Arban Abrashin.

Përmes një komunikate për media, SNS thotë se Marko Gjuriq do të qëndrojë deri më 9 nëntor në Tiranë

Gjatë kësaj kohe, sipas tyre do të zhvillohen takime të ndryshme  me përfaqësues politik nga Bosnja,  Maqedonia Veriore, Shqipëria e Kosova.

“Marko Gjuriq është pjesëmarrës në një tryezë të përbashkët  për bashkëpunim rajonal që do të zhvillohet nga 7 deri më 9 dhjetor në Tiranë. Gjatë kësaj kohe në Tiranë, jashtë konferencës ai do të zhvillojë takime të shumta me përfaqësues politik nga Bosnja, Maqedonia Veriore, Shqipëria e Kosova, si dhe me përfaqësues opozitarë të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Ata theksojnë se ky është organizimi i dytë i kësaj natyre, mbajtur nga ministria e Jashtme Gjermane, që për qëllim ka  avancimin e raporteve të shteteve të rajonit.

Mbledhja e parë e këtij lloji, sipas SNS ishte mbajtur në Shkup nga 18 deri në 20 tetor.

E mbrëmë media ka raportuar për një takim mes tyre që po mbahet në Tiranë. Në tavolinë me Gjuriqin kanë qenë, Xhelal Sveçla, Ardian Gjini e Arban Abrashin.

Vetëvendosje është deklaruar se nuk është takimi i Sveçlës me Marko Gjuriqin, por vetëm një pjesëmarrje në konferencë ndërkombëtare. 

“Ky nuk është takim i Xhelal Sveçlës me Marko Gjuriqin, por është pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare, me të gjitha subjektet politike të rajonit, që po mbahet me temën “Bashkëpunimi Rajonal” nën organizimin e organizatës CIG”, ka thënë zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje.

Tutje, Vetëvendosje ka thënë se në këtë takim ka edhe zyrtarë të tjerë nga partitë e tjera nga Kosova dhe nuk është takim i përveçëm.

“Në tryezë janë shumë edhe shumë zyrtarë të tjerë të partive nga Kosova, përveç shumë subjekteve rajonale, e jo takim i përveçëm”, ka thënë zyra për media Vetëvendosjes.

(Kosova Sot Online)