“Dështimi i koalicionit VV-LDK”, ja tre skenarët e tjerë për formimin e Qeverisë

  • 09 December 2019 - 16:26
“Dështimi i koalicionit VV-LDK”, ja tre skenarët e tjerë për formimin e Qeverisë

“Nëse administrata amerikane nuk e arrin koalicionin VV dhe LDK, atëherë ekziston mundësia që ata të shtyjnë përpara mundësinë e një koalicioni VV/ PDK e në fund LDK/ PDK pas dështimit të mandatarit të parë për të formuar qeverinë. Isa Mustafa është një ekspert i këtyre zgjidhjeve ku vetë e bllokon çdo gjë në mënyrë që ti hedh kundërshtarët nga loja, siç bëri atëherë me VLAN- in e pastaj e luan rolin e shpëtimtarit”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë duke parë krizën e thellë në të cilën është futur tash për tash mundësia e krijimit të koalicionit qeverisës mes LVV-së dhe LDK-së, shprehin dyshimin e tyre që ky skenar i dështimit të koalicionit, dhe betimi në vija të kuqe për të mos bërë koalicion me PDK-në, mundë të jetë një projekt i paramenduar me kohë nga kjo klasë politike, në mënyrë që të shkohet përsëri në zgjedhje të reja, për ta dështuar dhe vonuar edhe vazhdimin e dialogut me Serbinë, që ka filluar të bëhet një temë e frikshme për politikanët e dobët të Kosovës, pavarësisht presionit të madh ndërkombëtar. 

Ndryshe, dështimi i formimit të qeverisë së re, dhe shkuarja në zgjedhje do të përafronte kohën edhe me zgjedhjet e paralajmëruar për pranverën e hershme të vitit 2020 në Serbi, dhe kështu vazhdimi i dialogut për arritjen e marrëveshjes do të futej në një rrugë të gjatë pa krye, deri në formimin e institucioneve të reja në shtetin serb.

Prandaj edhe zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, nuk ka lënë hapësirë tjetër përveç arritjes së marrëveshjes me LDK-në, apo shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Image
Hysni Aliu

Lidhur me këtë skemë të zhvillimeve, dhe mundësinë e dështimit të koalicionit mes VV-së dhe LDK-së, për “Kosova Sot Online”, ka folur analisti politik, Hysni Aliu.

Sipas Aliut, krejt do të varet nga përpjekjet amerikane për ta krijuar qeverinë e re.

“Unë edhe në një shkrim menjëherë mbas zgjedhjeve kam paralajmëruar për mundësinë e dështimit të këtij koalicioni, dhe tërthorazi kam shkruar se kjo ndërlidhet me faktorin ndërkombëtar. Atëherë kam shkruar për mundësinë e një koalicioni VV dhe PDK. Në realitet ky dështim i mundshëm ndërlidhet pikërisht me dialogun Kosove Serbi. Dihet botërisht që Gjermania dhe administrata Trump kanë dallime të mëdha në mënyrën se si ju qasen zgjidhjes përfundimtare të problemit të Kosovës. Unë dyshoj që qeveria gjermane nëpërmes LDK- së tenton ta pengon formimin e këtyre institucioneve, në mënyrë që për dialog të pritet epoka post Trump dhe post Thaçi”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Aliu konsideron se rreziku që qeveria e re të nxirret para katit të kryer që në fillim të bisedimeve, duke e pasur përpara në tavolinë marrëveshjen Thaçi-Vuçiq për shkëmbim territoresh, është një mundësi shumë reale, prandaj edhe tani politika provon të gjej rrugë që të mos ballafaqohet me një akt të tillë.

“Ekziston një mundësi e madhe që qeveria e ardhshme posa të formohet të vendoset para një akti të kryer nga administrata Trump. Si rrjedhojë gjërat duhet të studiohen mirë nga ekspertët e negociatave, në mënyrë që të vlerësohet dëmi dhe dobia e pengimit të planit Tramp, që për mua personalisht ky plan, plani Tramp, është i gabueshëm dhe i pa arritshëm pa e dëmtuar paqen evropiane. Unë besoj që ka qenë gabim i VV së përkufizimi se vetëm LDK është partner qeverisës. Ata, në vend të saj është dashtë të kërkojnë qeverisje ekspertësh dhe me duar të pastra, kjo është një temë më e gjerë për ta shtjelluar, sepse për mua dallimi në mes LDK së me gardën e vjetër dhe PDK- së është vetëm kozmetik sa i përket korrupsionit dhe kapjes së shtetit”, theksoi doktor Aliu për “Kosova Sot Online”. 

Sipas tij, dështimi eventual i koalicionit LVV-LDK, mundë rezultojë me përpjekjen tjetër amerikane, koalicionin LVV-PDK, ose varianti i tretë, LDK-PDK.

“Nëse administrata amerikane nuk e arrin koalicionin VV dhe LDK, atëherë ekziston mundësia që ata të shtyjnë përpara mundësinë e një koalicioni VV/ PDK e në fund LDK- PDK pas dështimit të mandatarit të parë për të formuar qeverinë. Isa Mustafa është një ekspert i këtyre zgjidhjeve ku vetë e bllokon çdo gjë në mënyrë që ti hedh kundërshtarët nga loja, siç bëri atëherë me VLAN- in e pastaj e luan rolin e shpëtimtarit”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”

E nëse administrata Trump dëshiron koalicion VV-LDK dhe në realitet ashtu po duket, atëherë sipas Aliut LDK-së duhet t’i bëhet e qartë që me asnjë formulë bishtëruese nuk do të jetë pjesë e qeverisë, nëse dështon koalicioni me VV-në.

“Por edhe VV-ja nuk duhet të lejohet të mban pozicione maksimaliste gjatë negociatave për qeverinë e ardhshme, dhe do të duhej pranuar që pozita e presidentit, nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese që zgjidhet nga populli, t’i besohet LDK-së. Nëse nuk arrihen të bëhen ndryshimet kushtetuese, ku presidenti do zgjidhej me votë të drejtpërdrejtë nga populli atëherë është plotësisht me të drejtë që LDK-së ti takon pozita e presidentit, por një president konsensual që do ta miratonte edhe VV, në çdo rast për këtë mund të flitet vetëm në parim sepse vendi e ka presidentin. Garantues të një marrëveshje të tillë në parim, do të ishin SHBA dhe Gjermania”, shtoi Aliu për “Kosova Sot Online”.

Në anën tjetër, pas një pozicionimi kundër përfshirjes së PDK- së në negociata për qeverisje nga VV, ndryshimi i këtij kursi do të jetë shumë i vështirë dhe i dëmshëm për VV-në, pasi votuesi vështirë do e kapërdin këtë ndryshim radikal. 

“Me këtë pozicionim gjithashtu ju ka dhënë mundësia PDK së që nëse ajo mbetet si partner i vetëm dhe i domosdoshëm qeverisës për VV, atëherë ajo të kërkon postin e kryeministrit për vete, ashtu siç bënë këta tjerët, psh. LDK-ja në të kaluarën ku atëherë i mori kryeministrin partisë fituese PDK-së, apo AAK ja LDK-së në kohën e Rugovës. Në këtë grumbull problemesh, duhet të kihet parasysh edhe mundësia e dridhjes së vendit nga akuzat e Speciales, prandaj në politikë duhet të vlej parimi: kurrë mos thuaj kurrë”, deklaroi në fund, Hysni Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)