Pas Kosovës, Shqipërisë dhe Turqisë, edhe Kroacia e bojkoton Nobelin

  • 09 dhjetor 2019 - 20:31
Pas Kosovës, Shqipërisë dhe Turqisë, edhe Kroacia e bojkoton Nobelin

Ministria për Punë të Jashtme dhe të Evropës në Kroaci ka vendosur që të bojkotojë ceremoninë e organizuar nga Akademia Suedeze e Shkencave për dhënien e çmimeve Nobel, ku do të nderohet edhe fituesi i sivjetmë i çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, mik dhe përkrahës i Sllobodan Millosheviqit.

Në ceremoninë e Nobelit po refuzon të marrë pjesë edhe Kroacia, për shkak të shkrimtarit që publikisht ka përkrahur dhe shprehur admirim ndaj politikës së ish-liderit kriminel të Serbisë, Sllobodan Millosheviq.

Ministria e Jashtme e Kroacisë ka njoftuar se ambasadori i këtij shteti në Suedi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Akademia Suedeze e Shkencave.

 “MVEP ka vendosur që ambasadori kroat në Suedi të mos marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit nesër në Stokholm për shkak të dhënies së çmimit Nobel për Letërsi një njeriu që është angazhuar në mbështetje të politikës së Sllobodan Millosheviqit në vitet e ’90-ta”, thuhet në njoftimin e MPJ’së kreate.

Përveç Kroacisë, këtë ceremoni kanë njoftuar se do ta bojkotojnë edhe Shqipëria dhe Turqia.

Arsyeja është Handke, i cili sivjet u shpall fitues i çmimit Nobet për Letërsi, e ky vlerësim ka nxitur shumë reagime në Bosnjë, në Kosovë, por edhe ndërkombëtarisht. Dhënien e çmimit më të rëndësishëm për Letërsi e kishte kritikuar edhe Shoqata e Shkrimtarëve Amerikanë. 

(Kosova Sot Online)