Vjen thirrja për Vetëvendosjen dhe LDK-në, ky është paralajmërimi për Albin Kurtin

  • 11 December 2019 - 07:49
Vjen thirrja për Vetëvendosjen dhe LDK-në, ky është paralajmërimi për Albin Kurtin

“Rezultati zgjedhor imponon heqjen e vijave të kuqe, prandaj në rrethanat kur Albin Kurti ndodhet para shantazhit të LDK-së dhe heqjes së vijave të kuqe për PDK-në, si kusht të vetëm për qeverisjen e vendit, duhet ta mendojë mirë situatën në të cilën ndodhet nëse dëshiron që të mos e humbas rastin historik për t'u bërë kryeministër i vendit”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Florim Zeqa, duke përcjellë me kujdes situatën e ngërçit në të cilën kanë hyrë LVV dhe LDK, duke u përplasur për pozitën e presidentit të ardhshëm të Kosovës, dhe ndarjes së ministrive, ka thënë se kjo është një papërgjegjësi e madhe me të cilën po sillen dy subjektet e para politike që dolën nga zgjedhjet, me premtimin për bërjen e shpejtë të institucioneve dhe vazhdimin e ndryshimeve në qeverisje dhe reforma të thella.

Image
Florim Zeqa

“Edhe pse e kishin premtuar formimin e shpejtë të institucioneve të reja të shtetit, madje në ditët e para pas verifikimit të zgjedhjeve, po kalojnë dy javë nga certifikimi dhe nuk kemi akoma as marrëveshje politike për koalicion. Kushtëzimet që po i vënë njëra-tjetrës partitë fituese janë jashtë çdo logjike shtet ndërtuese. Përderisa LVV-ja kërcënon me zgjedhje të jashtëzakonshme nëse nuk bindet LDK për të hequr dorë nga kërkesa për Presidentin, LDK-ja e ka vënë kusht themeltar të marrëveshjes”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

E për të dalë nga kjo situatë që është bërë rrugë pa krye, Zeqa thotë se është koha që të dyja partitë fituese të zgjedhjeve t’i heqin vijat e kuqe për kundërshtarët, dhe nëse nuk arrijnë t’i bëjnë institucionet në një koalicion të përbashkët, të kërkojnë partner të tjerë.

“Sepse nuk vjen ndryshimi i madh nëse përsëriten zgjedhjet. Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së nëse vërtetë duan të qeverisin me vendin, duhet të heqin dorë menjëherë nga kushtëzimet dhe vijat e kuqe për koalicion edhe me partitë e tjera, ndryshe as që ka logjikë të bërjes politikë. Sikurse njëra (LVV), edhe tjetra (LDK) po sillen sikur të ishin fituese absolute të zgjedhjeve, sikur t'i kishin fituar mbi 50 % të votave. Me këtë këto parti të konsumuara politike, zgjedhjet nuk do të sjellin asnjëherë ndryshim, por vetëm riciklim të pushtetarëve. Madje, me pazaret e pista dhe me prolongimin e formimit të qeverive, zgjedhjet e kanë humbur kuptimin në vendin tonë”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Duke ironizuar me këtë sjellje të pa përgjegjshme të LVV-së dhe LDK-së, Zeqa thotë se nuk është mbetur tjetër vetëm të futet edhe "duda me def" në politikë.

“E për ta bërë kompromisin më të pa anshëm ai e ka gjetur edhe propozimin për figurën koncensuale të presidentin që do të zgjidhej në vitin 2021. Kur e përmenda "dudën", më ra ndërmend si zgjidhje kompromisi të jetë zgjedhja e Duda Balje për presidente të Kosovës dhe krye parlamentarit nga komuniteti rom-ashkali për të përmbyllur ciklin e multi etnicitetit në Kosovë. Kjo që ceka më sipër le të shërbej si metaforë për të gjithë ata që mendojnë që zgjedhjet e sërishme do të jenë zgjidhje për vendin”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ai iu ka rikujtuar partive politike, LVV-së dhe LDK-së, se me 24-26 % të votave të fituara nuk mund të vësh kushte dhe shantazhesh askënd, përveç servilëve e puthadorëve.

“Rezultati zgjedhor imponon heqjen e vijave të kuqe, prandaj në rrethanat kur Albin Kurti ndodhet para shantazhit të LDK-së dhe heqjes së vijave të kuqe për PDK-në, si kusht të vetëm për qeverisjen e vendit, duhet ta mendojë mirë situatën në të cilën ndodhet nëse dëshiron që të mos e humbas rastin historik për t'u bërë kryeministër i vendit. Bazuar në rezultatin zgjedhor dhe kushtëzimet për postin e presidentit, heqja e vijave të kuqe për bashkëqeverisje me PDK-në, mbetët sfidë dhe kusht i vetëm për qeverisjen e Albin Kurtit. LDK-ja apo "Lidhja" e sotme e kapur dhe ngulfatur nga klanet dhe grupet e interesit, nuk ka strukturë të mirë organizuar partiake që vendos për çështjet madhore në vend, pasi aty dëgjohet vetëm një zë i shtirur dhe i shterur i liderit”, shtoi analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Shkuarja e sërishme në zgjedhje, sipas tij, nuk është zgjidhja më e mirë për vendin, ku përveç kostos së lartë financiare dhe maltretimit të qytetarëve, do ta kemi sërish të njëjtin rezultat dhe të njëjtat situata pas zgjedhore.

(Kosova Sot Online)