Ish-spiuni i BIA-s regjistrohet si deputet i Kuvendit të Kosovës, Prokuroria Speciale s’e heton

  • 13 December 2019 - 15:21
Ish-spiuni i BIA-s regjistrohet si deputet i Kuvendit të Kosovës, Prokuroria Speciale s’e heton

Branislav Nikolic i cili ka shërbyer si këshilltar i Presidentit aktual Hashim Thaçi ishte shkarkuar nga ky i fundit në qershor të këtij viti, pasi u raportua se Nikolic kishte qenë agjent i shërbimit sekret serb(BIA).  Nikolic ka qenë në garë për deputet të Kuvendit të Kosovës si pjesë e Listës Serbe në zgjedhjet e gjashtë tetorit. Ai ka arritur të bëhet deputet duke marrë 14 mijë e 419 vota. Kurse nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë thënë për media se nuk kanë iniciuar kurrfarë procedure hetimi lidhur me veprimtarinë e deputetit të zgjedhur Branislav Nikolic si pjesë e BIA-s serbe. 

Branislav Nikolic është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, duke arritur të marrë gjithsej 14 mijë e 419 vota, për mandatin e fituar të të cilit media kishte raportuar e para.

Që nga viti 2016 kur Hashim Thaçi ishte zgjedhur President i Republikës së Kosovës, Branislav Nikolic kishte qenë pjesë e kabinetit të Thaçit si këshilltar i tij.

Shkarkimi i tij erdhi pasi media kishte raportuar se Nikolic kishte qenë pjesë e shërbimit të Inteligjencës së Serbisë(BIA).

Në njoftimin për shkarkimin e tij, zyra e Thaçit kishte thënë se nuk kanë pasur informacione paraprake lidhur me zyrtarin që ka këshilluar presidentin për tre vite rresht.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikolic në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media”, thuhej në përgjigjen e zyrës së Thaçit.

Nga certifikimi i zgjedhjeve të gjashtë tetorit, Lista Serbe ka fituar të gjitha 10 ulëset e garantuara me kushtetutë për komunitetin serb në Kuvend.

10 deputetët e rinjë të Listës Serbe janë regjistruar në Kuvendin e Kosovës si pjesë e legjislaturës së shtatë që pritet të konstituohet më 26 dhjetor, datë kjo e caktuar nga Presidenti Thaçi.

Media ka kontaktuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë, përkatësisht Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me ish-agjentin e BIA-s serbe, Branislav Nikolic.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu ka thënë për media se nuk është hapur asnjë rast hetimi për deputetin e zgjedhur Branislav Nikolic për të cilin është raportuar se ka qenë punëtor i shërbimit sekret serb.

“Mund të ju konfirmoj se Prokuroria Speciale ende nuk ka iniciuar asnjë rast që ka të bëjë me deputetin e zgjedhur te Listës Serbe, Branislav Nikolic”, tha Lutfiu.

Media ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, se a ka mbledhur informata lidhur me deputetin e zgjedhur nëse i njëjti cenon sigurinë e Republikës së Kosovës duke qenë pjesë e organit më të rëndësishëm të shtetit, por që institucioni më i lartë i sigurisë në Kosovë nuk ka kthyer përgjigje.

Ndaj zgjedhjes së Branislav Nikolicit si deputet i Kuvendit kishte reaguar edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai në një konferencë të partisë së tij kishte thënë se është për keqardhje lajmi që një ish-spiun i BIA-s serbe të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Ne me keqardhje e kemi marrë këtë informatë që dikush që konsiderohet se ka qenë punëtor i BIA-s serbe të vijë të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, por nuk është në fuqinë e as në vullnetin e LDK-së. Me qenë në vullnetin tonë kjo nuk do të kishte ndodhë, mirëpo ligji dhe Kushtetuta duhet të veprojë, ashtu siç vepron ligji ashtu do të veprojmë edhe ne”, kishte thënë Mustafa. 

(Kosova Sot Online)