Dy të miturit të zhdukur qe gjashtë muaj, policia ka një kërkesë për të gjithë qytetarët e Kosovës

  • 16 December 2019 - 14:49
Dy të miturit të zhdukur qe gjashtë muaj, policia ka një kërkesë për të gjithë qytetarët e Kosovës

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, po kërkon ndihmën e qytetarëve në gjetjen e të miturës Yllka Derri dhe personit të dyshuar për bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjetë, Besart Radosta, po ashtu i mitur, nga Gjakova.

Përmes një komunikate për media, policia bën të ditur se është autorizuar nga Prokuroria Themelore për publikimin e fotografive të dy të miturve.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për publikimin e fotografive të personave të involvuar në rast, me qëllim lokalizimin e tyre, lëshon Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët. Personi viktimë është: Yllka (Naim) Derri e lindur me 04.10.2003 nga Gjakova. Personi i dyshuar është: Besart (Blerim) Radosta i lindur me 21.08.2002 nga Gjakova”, thekson komunikata.

Po ashtu, bëhet e ditur se i dyshuari është i kërkuar për veprën penale ‘bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare’.

“Me datën 15.06.2019 në orën 09:15 në stacionin policor në Gjakovë viktima me të dhëna si më lart është raportuar nga familjarët se ishte larguar nga shtëpia. Policia në Gjakovë ka punuar intensivisht në gjetjen e vajzës së mitur dhe gjatë hetimeve ka arrestuar edhe një person të dyshuar për mundësim të veprës penale ‘bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare’ dhe rasti është dërguar me kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë me datën 30.07.2019”, thekson komunikata e policisë.

Po ashtu bëhet e ditur se në muajin tetor rasti është transferuar për hetim në Sektorin Rajonal për Hetime.

“Me datën 16.10.2019 për shkak të peshës së veprës dhe ndjeshmërisë së rastit ky rast është transferuar për hetim në Sektorin Rajonal për Hetime. Gjithashtu edhe hetuesit nga ky sektor kanë ndërmarr shumë veprime operativo hetimore në koordinim me prokurorin e çështjes, janë intervistuar disa persona, janë kontrolluar disa lokacione të dyshuara por deri më tani edhe përkundër përpjekjeve maksimale nuk është gjetur viktima e as personi i dyshuar Besart Radosta i cili dyshohet se është në shoqërimin e viktimës”, bën të ditur policia.

Lidhur me këtë rast, policia kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar dhe të viktimës të paraqitur në fotografitë e bashkangjitura, të lajmërojnë Policinë e Kosovës Gjakovë apo stacioni më i afërt policor. Numri i policisë së Gjakovës për kontakt: 045 930 220

Media javën që lamë pas ka sjellë rrëfimin e prindërve të të miturës Yllka Derri, Naim dhe Teuta Derri, të cilët kanë pasur ankesa në institucionet e drejtësisë se nuk po bëjnë mjaftueshëm për gjetjen e vajzës së tyre.

Fotografitë e të miturve të publikuara nga policia, me autorizim të Prokurorisë Themelore të Gjakovës:

(Kosova Sot Online)