Vendi po i digjet, kryeministri australian “ia therr” për pushime në Hawaii

  • 17 December 2019 - 10:38
Vendi po i digjet, kryeministri australian “ia therr” për pushime në Hawaii

Zjarrfikësit australianë kanë thënë se janë të zemëruar me kryeministrin e tyre, Scott Morrison, për shkak të vendimit për të shkuar në pushime në Hawaii gjatë kohës kur në Australi janë aktive shumë zjarre në natyrë.

Raportohet se kryeministri Morrison, së bashku me bashkëshorten Jenny dhe dy vajzat e tij, Lily dhe Abbey, kanë shkuar për pushime në Hawaii gjatë kohës së pushimeve shkollore të fëmijëve, pavarësisht paralajmërimit të meteorologëve se në Australi pritet të rriten temperaturat dhe të përhapen edhe më shumë zjarret.

Zyra e kryeministrit australian tha se nuk e komenton vendndodhjen e shefit të qeverisë për shkaqe sigurie, por njoftoi se ka shkuar jashtë vendit për disa ditë dhe se do të kthehet në Australi para Krishtlindjeve.

“Kryeministri është larguar nga vendi për disa ditë dhe është duke marrë lajme të përditësuara për statusin e viktimave të vullkanit në Zelandën e Re dhe hollësitë e zjarreve në natyrë në vendin tonë”, tha një zëdhënës i qeverisë.

Në anën tjetër, një zyrtar i lartë i Departamentit të Zjarrfikësve tha se është përpjekur disa muaj që të caktojë takim me kryeministrin para fillimit të sezonit të zjarreve.

Gjashtë persona kanë vdekur dhe më shumë se 720 shtëpi janë shkatërruar nga zjarret, ndërsa kryeministri Morrison ka refuzuar të përfshihet në debatin për ndryshimet klimatike, shkruan “Daily Mail”.

(Kosova Sot Online)