Dhunoi seksualisht të miturën, 30 ditë paraburgim për burrin nga Gjilani

  • 17 December 2019 - 15:33
Dhunoi seksualisht të miturën, 30 ditë paraburgim për burrin nga Gjilani

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Sh.B. i cili dyshohet se ka keqpërdorur seksualisht një vajzë të mitur.

Përmes një komunikate për media, Gjykata Themelore ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Sh.B. e ka shfrytëzuar seksualisht të miturën L.S.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në kohë të papërcaktuar duke shfrytëzuar moshën e re të miturës L. S., ka shfrytëzuar seksualisht, e cila për shkak të natyrës biopsikike, nuk ka mundur të gjykojë e të vlerësojë pasojat e një marrëdhënie seksuale”, thekson komunikata.

Po ashtu bëhet e ditur se për veprën penale me të cilën ngarkohet i dyshuari, parashihet dënim i lartë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që ky është një rast i ndjeshëm dhe për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë”, thekson komunikata.

(Kosova Sot Online)