Mesazh i qartë për LDK’në nga Berlini: Është koha për formimin e Qeverisë, jo për zgjedhjen e Presidentit

  • 19 December 2019 - 12:33
Mesazh i qartë për LDK’në nga Berlini: Është koha për formimin e Qeverisë, jo për zgjedhjen e Presidentit

Peter Beyer dhe Christian Schmidt, deputetët e Bundestagut gjerman kanë mbajtur konferencë për media ku kanë folur lidhur me takimet që kanë pasur me Vetëvendosjen dhe LDK-në sa i përket marrëveshjes së koalicionit.

Deputeti i CSU që është partnere e CDU’së , Christian Schmidt tha se gjatë bisedimeve me të dy partitë është befasur me programin 30 faqësh të tyre lidhur me programin qeverisës.

“Na ka surprizuar marrëveshja 30 faqëshe e tyre për programin qeverisës në substancën e detajeve”, tha ai.

Schmidt ndërkaq ka dërguar një mesazh të qartë për LDK’në e cila po insiston në pozitën e Presidentit duke thënë qartë se “tash për tash nuk është koha që të zgjedhet Presidenti por të formohet qeveria”. Ndaj kësaj ka reaguar edhe Peter Beyer duke e aprovuar me fjalën “saktësisht”.

Dy deputetët e Bundestagut gjerman deklaruan se kanë parë vullnet politik nga dy partitë që të formojnë qeverinë sa më parë.

“Dy partitë kanë vullnet për një qeverisje të përbashkët dhe ata duhet të caktojnë një datë dhe të përfundojnë marrëveshjen. Ata duhet të gjejnë një zgjidhje”, u shprehën dy deputetët. 

Sipas deputeti Peter Beyer, nëse ka vullnet atëherë palët nuk duhet të ngecin në detaje teknike.

Beyer ka thënë se palët që thërrasin njëra tjetrën për një takim dhe të përfundojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.

“Nëse është ky vullnet politik mes dy partive për të formuar qeverinë për të mirën e qytetarëve të Kosovës atëherë nuk duhet të ngecin në detaje teknike dhe duhet t’i besojnë njëra tjetrës.Thirrni njëra tjetrën caktojeni një datë të bisedimeve dhe përfundoni marrëveshjen e koalicionit”, ka shtuar tutje Beyer.

(Kosova Sot Online)