Reagon drejtoresha e Bordit të Telekomit: I plagosuri nuk është truproja im

  • 20 December 2019 - 10:02
Reagon drejtoresha e Bordit të Telekomit: I plagosuri nuk është truproja im

Pas publikimit të lajmit se i plagosuri mbrëmë në një lokal në Prishtinë ëshë truproja i kryetares së Bordit të Telekomit, Besa Shatri ka reaguar. Ajo ka mohuar se personi në fjalë është shofer dhe truproje i saj.

Madje thotë se rasti në fjalë nuk ndërlidhet me punën e Telekomit.

“Është shkruar sot se mbrëmë me armë zjarri është plagosur truproja dhe shoferi im personal gjë që nuk është e vërtet. Personi në fjalë Shaban Ramaj nuk është truproje i imi dhe asnjë njohuri nuk kam për ngjarjen e ndodhur mbrëmë”.

Në asnjë moment sipas Shatrit, rasti në fjalë nuk ndërlidhet me punën në Telekomin e Kosovës.

“Unë si drejtoresh e Bordit të Drejtorëve të Telekomit distancohem nga çdo veprim dhe tentim që të ndërlidhet dhe përflitet emri im me këtë rast sikur kërkoj hetime nga organet e rendit dhe kujdes nga media që mos të përmendem për diçka që aspak nuk ka të bëjë me mua dhe punën time në Telekomin e Kosovës”, ka thënë ajo.

Reagimi i Shatrit vjen pas lajmit se një zyrtar ka mbetur i plagosur gjatë festës së fundvitit të cilën e ka mbajtur mbrëmë Telekomi i Kosovës. Rasti ka ndodhur pak para mesnatës në një nga lokalet, në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur në një kafene të Prishtinës, ndërsa i plagosur ka mbetur Shaban Ramaj, truproja i kryetares së Bordit të Telekomit, Besa Shatri.

Plagosja ka ndodhur pas rrahjes në lokal në të cilin kanë qenë punëtorët e Telekomit.

Rasti është konfirmuar edhe nga raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës, derisa bëhet e ditur se zyrtari i plagosur është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

“Në një lokal ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri te plagosja ka ardhur pas një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve. I plagosuri deklaron se është lënduar aksidentalisht, është vetëplagosur. Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë. Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, njofton Policia.

(Kosova Sot Online)