Kush janë zyrtarët e Telekomit që u përleshën mbrëmë, lidhja e tyre me politikën dhe krimin

  • 20 December 2019 - 15:49
Kush janë zyrtarët e Telekomit që u përleshën mbrëmë, lidhja e tyre me politikën dhe krimin

Dy zyrtarë të lartë të Telekomit të Kosovës, një mospajtim mes tyre vendosën që ta zgjedhin duke u rrahur në njërën nga kafenetë e Prishtinës, derisa, njëri nga ta hesapet provoi që t’i lante edhe duke nxjerrë armën, me të cilën gjatë konfliktit plagosi vetën. Media sjell detaje. 

Ahengu i organizuar nga kompania publike Telekom për fund vit u shndërrua në makth për disa nga punëtorët që e panë përleshjen që ndodhi në mes të Shaban Ramajt e Arsim Ramadanit, të dy zyrtarë të lartë në këtë institucion.

Një mospajtim në mes të këtyre dyve do të fillonte me përleshje fizike, derisa, më vonë edhe u nxorën armët me të cilat u tentua që të lahen hesapet.

Shaban Ramaj e Arsim Ramadani të dy zëvendës drejtor të shërbimeve të logjistikës që ishin rehatuar në kompani në dy pozita të larta, në valën e fundit të emërimeve për të cilat është kritikuar ashpër Telekomi, dyshohet se ishin cak i konfliktit.

Ramaj në konflikt e sipër me Ramadanin, do t’a nxirrte armën nga brezi, e gjatë përleshjes Shaban Ramaj do të vetëplagosej.

Shaban Ramaj – dyshohet se u vetë plagos gjatë rrahjes me një koleg të tij

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka konfirmuar rastin, duke thënë se plagosja ka ndodhur në rrugën  “Enver Zymberi”, pak para mesnatës.

“Dje në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë, rreth orës 23:40 në një lokal ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri tek plagosja ka ardhur pasi një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve. Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë. Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, përfundon raporti.

Në anën tjetër, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, që është duke u marrë me hetimet kanë thënë për Express se ende nuk kanë detaje të reja se cila kishte qenë arsyeja e konfliktit.

“Është një person i ndaluar 48 orë për armë mbajte pa leje, edhe rrezikim të jetës së një personi, jemi në koordinim me policinë për veprime të mëtutjeshme”, ka bërë të ditur Laureta Ulaj, zëdhënëse e prokurorisë.

Nga zyra për informim në QKUK kanë konfirmuar për media se i vetë plagosuri ka marrë ndihmë nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente, dhe pastaj është liruar në shtëpi.

Arsim Ramadani – dyshohet se u përfshi në përleshje me kolegun e tij

Nga burime brenda Telekomit të Kosovës, është mohuar se këta të dy mund të kenë pasur diçka konflikt lidhur me pozitën që kanë, derisa, sipas ligjit të dy mund të mbajnë pozitën sepse çdo drejtor ka nga dy zëvendës.

Mirëpo, Ramaj dhe Ramadani nuk do të shpëtojnë pa dalë për të dhënë llogari për këtë temë para komisionit disiplinor të kompanisë.

Vetë Arsim Ramadani për të cilin organet e rendit kanë konfirmuar se ka qenë i përfshirë ka zgjedhur që të sqarojë rastin përmes një shkrimi në Facebook edhe pse dëshmitarët e thonë të kundërtën.

Ai mohon se ka qenë i përfshirë në plagosjen e mbrëmshme, mirëpo, nuk flet nëse ka qenë i përfshirë në përleshje.

“Unë deklarohem se nuk kam qenë i përfshirë në plagosjen që ka ndodhur mbrëmë”, thotë ai.

Postimi i personit që dyshohet se u përfshi në përleshje

Se rasti nuk ka ndodhur ashtu siç konfirmojnë edhe organet e sigurisë është deklaruar përmes mikut të tij edhe i vetë plagosuri.

I vetë plagosuri dhe miku i tij

Zyrtarisht nga Telekomi ende nuk kanë folur për rastin, derisa nga ky institucion distancohen krejt nga kjo ngjarje.

I vetmi reagim që është lëshuar për media ka qenë ai i kryetares së Bordit të Telekomit, Besa Shatri që ka mohuar se i përfshiri në rast ka qenë truprojë e shofer i saj.

Lidhja me politikën e krimin

Ramaj dhe Ramadani janë mirë të njohur për drejtësinë. Arsim Ramadani së bashku me vëllain e tij Burim Ramadanin e Arben Kiçinën kishin qenë të dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001 derisa ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme.

Këta ishin falur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më 29 dhjetor të vitit 2017, derisa Arsim Ramadani menjëherë ishte rehatuar me një post të lartë në Telekom.

Në anën tjetër, Shaban Ramaj kishte qenë i arrestuar për veprën penale blerje, shitje dhe posedim i paautorizuar i narkotikëve. Ai kishte qëndruar për disa muaj edhe në burg, mirëpo, në kompaninë publike iu ishte ruajtur pozita.

“Shaban Ramaj kishte qenë i burgosur në institucionet korrektuese që nga data 16 dhjetor e vitit të kaluar derisa është liruar me 15 mars të këtij viti.

I njëjti ka qenë në vuajtje të dënimit për veprën penale; Blerje, shitje dhe posedim i paautorizuar i narkotikëve”, kanë bërë të ditur nga institucionet e drejtësisë për media

Ndryshe, për Ramaj ish-prokuroria e Qarkut në Prishtinë me 15 qershor të vitit 2012 kishte ngritur aktakuzë me pretendimin se në koordinim me disa të dyshuar të tjerë kishin kryer veprën penale trafikim i substancave narkotike.

Sipas Aktakuzës të akuzuarit kishin arritur të sigurojnë dhe shisnin rreth 50 gram,  substanca kokainë, dhe kanë kontaktuar dhe bashkëpunuar edhe me persona jashtë Kosovë, si në Shqipëri, Turqi, me qëllim të trafikimit ndërkombëtar të narkotikut, me çka kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje, dhe shitjen e pa autorizuar e narkotikeve. Me qëllim që t’i sjellin vetës dobi pasurore ata ishin marrë edhe me trafikim me migrant.

Veterani i UÇK-së, Shaban Ramaj i njohur si Shabi ishte ndaluar për 48 orë në vitin 2017-të, pasi që i njëjti kishte kërcënuar babanë e një dëshmorit, që rastin e kishte lajmëruar në polici.

Në profilin e Ramajt në Facebook vërehet edhe lidhja e tij e ngushtë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe deputetin Bekë Berisha. Ramaj madje merret vesh se është kryetar i degës së AAK’së në fshatin Radavc të Pejës.

Media ka kontaktuar edhe deputetin Bekë Berisha, mirëpo, përmes telefonit na u është deklaruar se nuk ka lidhje diçka me këtë temë.

“Nuk kemi lidhje diçka me këtë, nuk kemi informacione, s’kemi çka të deklarojmë”, tha një person që u lajmërua në telefon si këshilltar i Berishës. Rastin nuk kanë pranuar ta komentojnë as zyrtarë të tjerë të AAK’së.

Ramaj dhe Ramadani marrin paga të majme nga kompania publike. Të dy këta marrin nga 2,250.83 euro rrogë mujore.

Rrjedhimisht askush nuk ka sqaruar se pse në kompaninë publike Telekom janë duke punuar në pozita drejtuese tash e një kohë persona të lidhur me botën e krimit.

(Kosova Sot Online)