U helmuan nga vera e kokosit, 11 të vdekur në Filipine

  • 23 December 2019 - 10:02
U helmuan nga vera e kokosit, 11 të vdekur në Filipine

Së paku 11 persona kanë vdekur dhe më shumë se 300 të tjerë janë trajtuar në spital pasi u helmuan me verë kokosi në Filipine. Lajmin e bënë të ditur autoritetet shëndetësore të këtij vendi.

Helmimi ndodhi në Laguna dhe Quezon, dy provinca që shtrihen në jug të kryeqytetit Manila. Të gjithë personat e helmuar kishin pirë “lambanog”, pije e popullarizuar në Filipine, sidomos gjatë festave dhe ahengjeve.

Departamenti i Shëndetësisë tha se do t’i analizojë mostrat e gjakut të personave të helmuar, ndërsa dy persona që më parë ishin në gjendje të rëndë tashmë janë duke e marrë veten.

“Disa persona e blenë këtë pije për zbavitje dhe ndeja të ditëlindjeve, ndërsa të tjerët u furnizuan me të nga zyrtarët lokalë si pjesë e festimit për Krishtlindje”, thanë autoritetet.

Prodhimi dhe shitja e kësaj pije në Filipine janë të zakonshme. Shpesh, në të shtohen përbërës të rrezikshëm për shëndetin.

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve më parë kishte paralajmëruar për rrezikun e përdorimit të metanolit si përbërës shtesë në pijet e prodhuara në kushte shtëpiake.

Vitin e kaluar, 21 persona vdiqën për shkak të helmimit me të njëjtën pije, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)