Vetëvendosje i reagon Agim Veliut: Ne nuk e kërkuam presidentin

  • 23 December 2019 - 11:56
Vetëvendosje i reagon Agim Veliut: Ne nuk e kërkuam presidentin

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas deklaratave të nënkryetarit të LDK’së, Agim Veliut që tha sot se është e tepërt që partia e Albin Kurtit ta marrë edhe postin e presidentit edhe atë të kryeministrit.

Përmes një shkrimi në Facebook, deputeti i zgjedhur i VV’së, Mefail Bajqinovci ka shkruar se ajo që thotë Veliu nuk qëndron, pasi që VV nuk është duke kërkuar për vete pozitën e presidentit. 

Ai thotë se Vetëvendosje është duke kërkuar që për presidentin të flitet kur të vjen koha, e jo tani kur po tentohet që të bëhet shumica parlamentare për qeverisje.

Nga VV thonë gjithashtu se janë duke kërkuar një president ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës.

“Kërkesa juaj për ta pasur presidentin në mënyrën se si po e kërkoni nuk e shprehë përkushtimin e stërthënë nga ju për LDK -në shtetformuese, perëndimore dhe që angazhohet për shtetin e së drejtës”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)