Denoncimi i rëndë: Ja e vërteta që po e fsheh Prokuroria e Shtetit

  • 25 December 2019 - 07:31
Denoncimi i rëndë: Ja e vërteta që po e fsheh Prokuroria e Shtetit

“Prokuroria e shtetit është instrument i pushtetit në ikje. Publikojnë të dhëna në lidhje me atë se sa aktakuza i kanë ngritur por nuk tregojnë se kundër kujt dhe për cilat vepra. Ngritja e aktakuzave kundër numrit të personave tregojnë se nuk janë ngritur aktakuza kundër zyrtarëve të lartë por vetëm kundër fakirëve që nuk janë të lidhur me politiken. Krimi i organizuar ka të bëjë me ngritjen e aktakuzave kundër më shumë personave”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit dhe ish kreu i AKK-së, Hasan Preteni, duke përcjellë në vazhdimësi raportet ditore të Prokurorisë së Shtetit lidhur me aktakuzat e ngritura brenda një dite, konsideron se me këtë formë raportimi që nuk ka qenë praktikë në të kaluarën e afërt, Prokuroria po e fsheh krimin e vërtetë, po e amniston atë dhe po jep shifra anonime dhe të pa specifikuara për aktakuzat e ngritura.

Sipas Pretenit, këto aktakuza mundë të jenë kryesisht për vepra të lehta penale, shkelje ligji madje të imponuara edhe nga kushtet e rënda sociale të të akuzuarve, por nuk janë aktakuza kundër zhvatësve të buxhetit të shtetit, dhe atyre që po e rrezikojnë seriozisht rendin, ligjin dhe sigurinë e qytetarit.

Image
Hasan Preteni

“Prokuroria e shtetit është instrument i pushtetit në ikje. Publikojnë të dhëna në lidhje me atë se sa aktakuza i kanë ngritur por nuk tregojnë se kundër kujt dhe për cilat vepra. Ngritja e aktakuzave kundër numrit të personave tregojnë se nuk janë ngritur aktakuza kundër zyrtarëve të lartë por vetëm kundër fakirëve që nuk janë të lidhur me politiken. Krimi i organizuar ka të bëjë me ngritjen e aktakuzave kundër më shumë personave. Ngritja e aktakuzave kundër pak personave dëshmon se një aktakuzë është ngritur kundër një personi dëshmi se një vepër kundër një personi është vepër e lehtë dhe jo krim i organizuar”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Preteni kërkon drejtpërdrejtë nga ana e Prokurorisë që të jetë tërësisht transparente, dhe ta tregojë të vërtetën.

“Pa asnjë të fshehur se për çfarë niveli të veprave penale bëhet fjalë në këto raste të raporteve ditore për aktakuzat e ngritura, dhe kush janë individët apo grupet e tyre, e të mos e i keqpërdorin disa ndjekje kundër qytetarëve të varfër që nuk kanë lidhje me politikën për ta mbuluar dështimin e tyre. Prokurori, tregoni kundër kuja i keni ngritur aktakuzat dhe për cilat vepra. Nëse ndodhë e kundërta ju jeni duke i ndjekur fukaranë dhe ata që nuk kanë lidhje me politikën. Turpi dhe marrja duhet të jenë identifikues për juve. Kjo është e tmerrshme”, deklaroi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)