Vetëvendosje sot mbledh Grupin Parlamentar

  • 25 December 2019 - 10:01
Vetëvendosje sot mbledh Grupin Parlamentar

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje sot do të mbajë takim në ora 11:00 në selinë e partisë një ditë para konstituimit të Kuvendit.

Burime të medias kanë konfirmuar se takimi i deputetëve të rinj të VV-së do të zhvillohet sot pa ndonjë agjendë të veçantë. 

Ende nuk dihet nëse mbledhja e Grupit Parlamentar do t’i paraprijë ndonjë takimi të sotëm mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

Ditën e djeshme u paralajmërua një takim mes Kurtit dhe Mustafës e që më pas është mohuar nga zyrtarë të të dy partive.

Po ashtu dje LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e kryesisë së saj, ndërkaq kryetari i partisë Isa Mustafa shkurtimisht tha se janë duke e pritur thirrjen e Kurtit për tu takuar.

“Nëse Kurti na thërret, ne jemi të gatshëm të takohemi në çdo moment”, deklaroi Mustafa.

Vetëvendosje dhe LDK pas shumë takimeve të dy liderëve të partive ende nuk kanë arritur të finalizojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje në katër vjetët e ardhshme.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e gjashtë tetorit ka arritur të fitojë 29 ulëse në Kuvendin e Kosovës që pritet të konstituohet nesër ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës 28 ulëse.

(Kosova Sot Online)