Fëmijët e azilkërkuesve në Meksikë e përdorin autobusin si klasë

  • 25 December 2019 - 10:49
Fëmijët e azilkërkuesve në Meksikë e përdorin autobusin si klasë

Në një ditë të ftohtë me shi në Tijuana të Meksikës, 30 fëmijë të familjeve që po presin të fitojnë azil në Shtetet e Bashkuara futen në autobus për ta filluar mësimin një ditë para Krishtlindjeve.

Klasa e improvizuar brenda një autobusi, e rregulluar nga fondacioni “Yes We Can”, ofron shkollim dygjuhësor dhe ndihmë emocionale për fëmijët, në kohën kur familjet e tyre po presin që kërkesat e tyre të shqyrtohen nga autoritetet amerikane. Ky proces mund të zgjasë me muaj të tërë.

“Ne përqendrohemi në lumturi. Ne përqendrohemi në të drejtat e fëmijëve dhe ofrimin e një hapësire të sigurt dhe mikpritëse, ku fëmijët mund të jenë thjesht fëmijë”, tha Estefania Rebellon, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e këtij fondacioni.

“Kur isha 10 vjeçe dhe familja ime ishte e detyruar të largohet nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara, shkolla ishte e vetmja gjë që më ndihmonte. E dija që shkolla ishte një mekanizëm që ofron mbijetesë për fëmijët”, shtoi ajo.

Sandra Rodriguez, njëra nga tri mësueset që punojnë me këta fëmijë, tha: “Kur ata vijnë këtu, janë paksa të frikësuar. Ata nuk dinë çfarë të presin.” Ajo tregoi se një nxënës i ka thënë që nuk dëshiron ta ndërrojë klasën dhe shokët që i ka bërë në këtë vend, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)