Vjen denoncimi i rëndë: Kështu po dëmtohet shteti i Kosovës

  • 27 December 2019 - 14:24
Vjen denoncimi i rëndë: Kështu po dëmtohet shteti i Kosovës

“Prokuroria e Shtetit do të afirmohej dhe konfirmohej pozitivisht sikur ti përgatiste profesionalisht dhe t' i përfaqësonte në mënyrë meritore aktakuzat, në radhë të parë të kriminalitetit të lartë, duke mos i lënë anash as rastet tjera, dhe kurrsesi të mos linte raste juridike të parashkruhen për shkak të zvarritjes së afateve”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, duke përcjellë këta muajt e fundit një lloj aktiviteti të “ngjeshur” të Prokurorisë së Shtetit, me publikimin e në baza të raporteve ditore shifra për dhjetëra e qindra aktakuza të ngritura brenda ditës, vlerësojnë se ky institucion me këtë formë veprimi, po mundohet ta mbulojë dështimin që ka përjetuar për vite të tëra, kurse tani po bënë një tip fushate kinse për ringjallje dhe efikasitet në punë, krejt kjo për ta përmirësuar imazhin e rrënuar për toke nga dështimet e deritanishme.

Për këtë “skemë” të re pune, për “Kosova Sot Online” ka folur profesori i së drejtës, Riza Smaka.

Sipas Smakës, nuk e përmirëson imazhin e humbur, dhe nuk e kthen besimin raportimi në sasi, por vetëm në cilësi dhe efikasitet.

Image
Riza Smaka

“Me këtë formë veprimi vetëm po dëmtohet shteti i Kosovës, sepse po e merr imazhin e një shteti të madh kriminal me këtë mënyrë alarmante të raportimit të rasteve të aktakuzave të ngritura në baza ditore, po krijohet bindja edhe te ndërkombëtarët se vërtetë Kosova qenka vend ku me të madhe po zhvillohet krimi dhe kriminaliteti, kurse qytetarët e Kosovës shihen si delikuentet dhe të inkriminuarit numër një në këtë këndë të vogël të Ballkanit dhe të Evropës”, tha Smaka.

Kjo mënyrë pune, sipas profesor Smakës nuk e afirmon Prokurorinë e Shtetit, por e dëmton akoma më shumë atë.

“Prokuroria e Shtetit do të afirmohej dhe konfirmohej pozitivisht sikur ti përgatiste profesionalisht dhe t' i përfaqësonte në mënyrë meritore aktakuzat, në radhë të parë të kriminalitetit të lartë, duke mos i lënë anash as rastet tjera, dhe kurrsesi të mos linte raste juridike të parashkruhen për shkak të zvarritjes së afateve”, shtoi profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Serioziteti i punës së Prokurorisë dhe profesionalizmi e efikasiteti, sipas Smakës tregohet vetëm kur rastet dhe aktakuzat e ngritura mbrohen dhe fitohen në gjykatë, dhe jo e kundërta sikur po ndodhë në praktikën e deritanishme.

“Rrjedhimisht, Prokuroria do të duhej që me mjete juridike të rëndomta, si dhe me ato më të rëndomta, me kohë e seriozisht të atakoheshin aktgjykimet dhe aktvendimet gjyqësore me te cilat në çfarëdo mënyre do të shpërfilleshin kërkesat e bazuara të aktakuzave të ngritura meritorisht nga ana e Prokurorisë së Shtetit”, deklaroi Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)