Vjen akuza e rëndë ndaj Thaçit: Fajtori kryesor për skenarin që rrezikon Kosovën

  • 28 December 2019 - 14:08
Vjen akuza e rëndë ndaj Thaçit: Fajtori kryesor për skenarin që rrezikon Kosovën

“Të gjithë këto skenarë famëkeqe ishin kundër shtetit funksional të Kosovës. Kosova asnjëherë nuk kishte ekspert në dialog me Serbin por kishte njerëz sa për sy e faqe, pra formal, andaj jemi ku jemi sot. Sot po ka vetëm presione për të pranuar skenarë kundër territorit të Kosovës, por jo skenarë që forcojnë shtetin, dhe përgjegjës për këtë është Hashim Thaçi, pastaj të gjithë me rend, prandaj është i domosdoshëm rishikimi dhe ri definimi i krejt këtij procesi”, thotë profesori universitar, Burjani për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend, që kanë e përcjellë me kujdes procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, fillimit të drejtuar nga Hashim Thaçi në pozitën e kryeministrit, së bashku me zëvendësen e tij Edita Tahirin, e më pastaj edhe në cilësinë e Presidentit të vendit deri në fazën e bllokimit të tij për shkak të taksës, konsiderojnë se Kosova vazhdimisht ka dalë humbëse në këtë proces. Prandaj sipas tyre, Qeveria e re në ardhje duhet të ndryshojë në substancë strategjinë, por edhe përbërjen e ekipit që do të përfaqësohet në këto bisedime.

Sipas analistëve, kompromiset e dhimbshme që i bëri Kosova në dialogun e keq me Serbinë në Bruksel, janë pasojë nënshtrimit të turpshëm të Hashim Thaçit nga frika e Speciales, dhe pasojë e përbërjes krejtësisht jo profesionale e jokompetente të ekipeve të negocimit, të cilat pa një platformë nacionale e shtetërore dhe pa strategji të kufijve me vija të kuqe, e futën shtetin e Kosovës në rrugë pa krye.

Për këtë rrugëtim të mbrapsht, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti dhe profesori universitar, Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

“Kosova as në Vjen kur ishte plani i Ahtisarit nuk kishte njerëz kredibil, të përgatitur mirë për të ju kundërvënë palës serbe, e që ky plan kishte bërë koncesione të mëdha për serbët pakicë, e më vonë u thellua edhe më shumë problemi, ku gjithmonë flitej për sovranitetin e Kosovës i cili gërryhej politikisht në vazhdimësi dhe duke hapur plotë tema të tjera në dëm të interesit të shtetit të Kosovës”, thotë profesor Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas Burjanit, arsyet pse duhet të rishikohet dhe riformatohet i gjithë procesi për fillimin e dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshje, janë të shumta, e ato kanë të bëjnë më marrëveshjet e dëmshme që janë nënshkruar deri më tani, ku kërkohet të zbatohen vetëm nga Kosova por jo edhe nga Serbia.

“Nga asnjë nga këto marrëveshje nuk kishte të bëj me shtetin funksional të Kosovës, fillojnë të përmenden 6 tema plus planit të Atihsarit, deri te marrëveshja e asociacionit të komunave serbe , enklavizimi dhe përpjekjet e bërjes legale të strukturave paralele, të gjitha këto kërkesa me insistimin më të madh të Serbisë. Në këto bisedime është bërë edhe fusnota që zbehi pavarësinë dhe në fund edhe tema e shkëmbimeve territoriale”, shton Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas Burjanit, nuk duhet lejuar vazhduar si i tillë, por duhet ndaluar, studiuar dhe rishikuar që të bisedohet nga pozita të barabarta shtetërore, dhe jo në pozita të tjera.

“Të gjithë këto skenarë famëkeqe ishin kundër shtetit funksional të Kosovës. Kosova asnjëherë nuk kishte ekspert në dialog me Serbin por kishte njerëz sa për sy e faqe, pra formal, andaj jemi ku jemi sot. Sot po ka vetëm presione për të pranuar skenarë kundër territorit të Kosovës, por jo skenarë që forcojnë shtetin, dhe përgjegjës për këtë është Hashim Thaçi, pastaj të gjithë me rend, prandaj është i domosdoshëm rishikimi dhe ri definimi i krejt këtij procesi”, përfundon Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)