Analiza e fortë: Ky është ‘kurthi’ i Hashim Thaçit, ja ku gaboi Albin Kurti

  • 30 December 2019 - 13:08
Analiza e fortë: Ky është ‘kurthi’ i Hashim Thaçit, ja ku gaboi Albin Kurti

“Ligjërisht mund ta marrë mandatarin dhe të vihet në votim para Kuvendit, dhe këtu nuk ka asnjë pengesë sepse është partia fituese, mirëpo mbetet çështje tjetër se a i ka votat për tu votuar mandatari dhe qeveria, pra këtu lind nevoja për të pasur koalicion, gjë që ashtu si votat për Kryeparlamentar mund t’i marrë prapë Vetëvendosje, por që me një qeveri të pakicës pastaj do ishte një tmerr i vërtet”, thotë politologu, Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë po vazhdojnë ta komentojnë në mënyra të ndryshme situatën e krijuar pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kur ditën e premte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar dy ftesa Albin Kurtit për takim, por të dy këto ftesa i ka refuzuar ky i fundit, dhe tani shihet një pikëpyetje e madhe së çfarë po ndodhë me caktimin e mandatarit.

Rreth kësaj situatë të krijuar, për “Kosova Sot Online” ka folur politologu, Gurakuç Kuçi, sipas të cilit Thaçi ia ka luajtur lojën mjeshtërisht Albin Kurtit.

Image
Gurakuç Kuçi

“Gabimet që e çojnë në këtë lojë kurthi, me kohë ja kishte kurdisur vetes, me apo pa vetëdije, prandaj ftesat e Thaçit e stigmatizuan seriozisht Albin Kurtin. Presidenti duhet t’i dërgojë ftesë tjetër Kurtit por me tolerancë kohore së pakut prej 25 orësh, dhe jo me kohë urgjente sikurse herën e parë dhe të dytën. Ftesa e Presidentit ndaj Kurtit për të marrë mandatarin nga subjekti i tij politik për formimin e Qeverisë ka qenë pak me hile e po aq më hile ka qenë edhe shmangia e Kurtit. Mirëpo, ftesa e Thaçit ka qenë e pa arsyeshme në kohë, një ftesë që më përpara i ka arritur kanalet mediatike se sa ato zyrtare, pra ka qenë një veprim për të stigmatizuar figurën e Kurtit gjë që edhe ia arriti. Ftesa duhet të bëhet prapë dhe të lihen minimumi 24 orë kohë nga ora e dërgimit të ftesës për partinë fituese të zgjedhjeve”, thotë Kuçi për “Kosova Sot Online”.

Madje, politologu Kuçi dyshon që skenari i së premtes ka qenë i koordinuar mes Hashim Thaçit dhe LDK-së për ta sfiduar Kurtin, ngase Thaçi është ngritur në atë pozitë vetëm falë votave dhe pazareve me LDK-në, derisa ishin partner në qeverisje. 

“Mos të harrojmë se Thaçi është bërë President nga insistimi dhe presioni i pashoq i Isa Mustafës ndaj LDK-së dhe lidhjet mes tyre janë sa politike po aq edhe në ndarjen e pushtetit, të kujtojmë kohën sa beneficionet ishin dhënë ndaj shumë deputetëve për të marrë votën. Sidoqoftë, kjo çka ka ndodhur dje ishte një lojë ditore që konsumohet shpejtë dhe i kthehemi realitetit ku Vetëvendosje ka përballë LDK-në të cilët janë vetëm sinonim i PDK-së dhe partive tjera”, shton Kuçi për “Kosova Sot Online”.

Një problem tjetër që tash e ka Albin Kurti para vetes, sipas Kuçit është marrja e mandatit për formimin e qeverisë pa u sqaruar pozicioni i koalicionit me LDK-në,

“Derisa ka vija të kuqe për të gjitha subjektet tjera politike të ish PAN-it, një hap të cilin tash nuk mundë ta bëjë Albin Kurti për të krijuar qeveri të pakicës dhe krejt jo funksionale, prandaj detyrohet t’i vazhdon negociatat plus me LDK-në. Ligjërisht mund ta marrë mandatarin dhe të vihet në votim para Kuvendit. dhe këtu nuk ka asnjë pengesë sepse është partia fituese, mirëpo mbetet çështje tjetër se a i ka votat për tu votuar mandatari dhe qeveria, pra këtu lind nevoja për të pasur koalicion, gjë që ashtu si votat për Kryeparlamentar mund t’i marrë prapë Vetëvendosje, por që me një qeveri të pakicës pastaj do ishte një tmerr i vërtet. Dyshoj se do ta marrë një veprim të tillë LVV-ja dhe dyshoj që nuk do të arrihet koalicioni LVV-LDK, mirëpo e gjithë kjo veprimtari po ndodh për shkak së Albin Kurti ka bërë gabim në hapa politik dhe në të vërtet nuk ka njerëz rreth vetës dhe mentalitet që do të pranonte këshilla”, deklaron Kuçi për “Kosova Sot Online”.

“Albin Kurti nuk mund t’i themi që po heziton akoma, sepse në mënyrën si i është bërë ftesa ka pasur hile, por do të mund të themi që po heziton vetëm në momentin kur ky i shmanget vazhdimisht ftesave të cilat bëhen me afate kohore të cilat janë të arsyeshme. Mirëpo, Kurti tani ka një hezitim tjetër sepse gabimet që i ka bërë që nga koha e para-fushatës zgjedhore është duke i vuajtur tani dhe po e ndjen forcën e oligarkisë politike në Kosovë të cilët janë një kordon i bashkuar rreth kapjes së shtetit”, përfundon politologu, Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)