Drejtori i kopshtit zoologjik në Australi strehon kafshët në shtëpinë e vet për t’i shpëtuar nga zjarri

  • 31 December 2019 - 12:37
Drejtori i kopshtit zoologjik në Australi strehon kafshët në shtëpinë e vet për t’i shpëtuar nga zjarri

Një drejtor i kopshtit zoologjik në Australi, i cili po vlerësohet si hero, i ka shpëtuar dhjetëra kafshë nga zjarret e mëdha në natyrë duke i strehuar ato në shtëpinë e vet.

Chad Staples, drejtor i kopshtit zoologjik “Mogo” në rajonin New South Wales, tha se kushtet në terren janë apokaliptike dhe se ai me ekipin e tij janë angazhuar për të shpëtuar dhjetëra kafshë, të cilat i konsideron si familje.

Shtëpia e tij tash është mbushur me majmunë, panda të kuqe dhe kafshë të tjera. Kështu, asnjëra prej 200 kafshëve në këtë kopsht zoologjik nuk është lënduar, pavarësisht rrezikut nga zjarret.

“Në orën 6 të mëngjesit kishte thirrje për evakuim të qytetit, por plani i kopshtit tonë gjithmonë ka qenë për ta mbrojtur hapësirën e kafshëve në mënyrë që ato të jenë të sigurta”, tha ai.

“Tash për tash, në shtëpinë time ka lloje të ndryshme të kafshëve dhe ato janë të shpërndara në të gjitha dhomat. Ato janë të sigurta dhe të mbrojtura”, shtoi drejtori i kopshtit zoologjik.

Në këtë kopsht më parë jetonin rreth 200 kafshë. Kompania që e menaxhon këtë kopsht tha se i ka marrë të gjitha masat për mbrojtjen e kafshëve, shkruan “Daily Mail”.

(Kosova Sot Online)