“Burgu në Dyz është gati”, ja skandalet më të mëdha të 2019-tës në Kosovë

  • 02 January 2020 - 07:35
“Burgu në Dyz është gati”, ja skandalet më të mëdha të 2019-tës në Kosovë

“Nëse duam shtet ligjor, atëherë duhet të hetohen të gjitha skandalet dhe vjedhjet e ministrave dhe zyrtarëve në Kosovën e pasluftës. Burgun në Dyz e kemi të gatshëm për politikanët dhe vartësit e tyre. Me dënimin e tyre edhe do pastrohej Kosova nga hajnat dhe kriminelet e politikës dhe para politikës, shteti do të vihej në binare, do të përçohej një mesazh në botë se Kosova është shtet serioz, dhe çdo njeri që do të pranonte një post shtetëror do të mendohej me dhjetëra herë se a do të vjedh apo jo”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Bilanci i zhvillimeve që e karakterizuan vitin 2019, sipas analistëve politikë është ndër me negativët, vit ky i cili u përcoll me dështime dhe skandale të mëdha.

Sipas analistëve, edhe viti 2019 vazhdoi të identifikohet me krim të organizuar dhe mos veprim të institucioneve të drejtësisë, derisa pasojat vazhdon t’i bartë Kosova si shtet akoma i pa zhvilluar dhe qytetarët e varfër e të nëpërkëmbur.

Përtej këtyre zhvillimeve negative në planin e brendshëm, Kosova dështoi që të anëtarësohet në organizata të ndryshme ndërkombëtare, dështoi që ta rris numrin e njohjeve, përkundrazi në këtë vit ky numër shkoi duke rënë, kurse u rrit vetëm krimi organizuar.

Për dështimet e këtij viti, për “Kosova Sot Online” flet analisti politik, Faik Krasniqi.

Image
Faik Krasniqi

Sipas Krasniqit, nuk mundë të gjesh fusha në të cilat flitet për sukses, por dështimi është kryefjala e kësaj qeverisje që është në ikje.

“Për dështime të kësaj Qeverie s'ka fund për të shkruar. Nëse e masim në peshore dështimet dhe sukseset e kësaj Qeverie, për suksese s'kemi çfarë të flasim fate, sepse s'ka pasur asnjë sukses. Ka qenë Qeveria më e dobët në Kosovën e pasluftës. Qeveri e “terapisë” dhe skandaleve. 21 ministri, 88 zv-ministra, me qindra këshilltar dhe post i shpikur të koordinatorit. Rezervat e shtetit në zero. Ka shumë për të thënë për këtë Qeveri”, thotë Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij, Qeveria e ardhshme Kurti nëse arrin të bëhet, ka shumë për të bërë në të gjitha fushat.

“Nëse duam shtet ligjor, atëherë duhet të hetohen të gjitha skandalet dhe vjedhjet e ministrave dhe zyrtarëve në Kosovën e pasluftës. Burgun në Dyz e kemi të gatshëm për politikanët dhe vartësit e tyre. Me dënimin e tyre edhe do pastrohej Kosova nga hajnat dhe kriminelet e politikës dhe para politikës, shteti do të vihej në binare, do të përçohej një mesazh në botë se Kosova është shtet serioz, dhe çdo njeri që do të pranonte një post shtetëror do të mendohej me dhjetëra herë se a do të vjedh apo jo”, shton Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Në planin ndërkombëtar, sipas Krasniqit Kosova përjetoi shumë dështime të mëdha. 

“Për njohje s'kemi çfarë të flasim se s'kemi pasur asnjë. Për ç’njohje kemi të flasim shumë, për shumë të tilla. Ishin ç’njohje nga shtete pa shtete. Nga shtete që duhet të hulumtosh shumë për t'i gjetur, sepse edhe në hartë është vështirë t'i gjesh. Kam përshtypjen që ato njohje s'kanë ndodhur kurrë, por në opinion janë shitur si njohje. Edhe njohjet janë marrëveshje ndërkombëtare. S'mund të bësh shaka me gjëra të tilla. Sot po të njoh, nesër s'po të njoh, kurse pasnesër prape po të njoh. Një shtet që me të vërtetë të ka njohur si shtet, ajo njohje ngelet si e tillë. Marrëdhëniet bilaterale mund të prishen mes shteteve, por jo edhe njohjet si shtet”, deklaron Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Krasniqi thotë se nëse do të ishte e vërtetë që një shtet mund ta njohësh dhe çnjohësh kur të duash, atëherë i bie që shumica e shteteve të zhbëhen për shkak të konflikteve që kanë pasur.

“Madje edhe SHBA do të zhbëhej fare si shtet, kur e dimë sa luftëra ka bërë dhe është në hasmëri me më shumë se gjysmën e botës, prandaj këto nuk qëndrojnë fare. Sa i takon anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare, krejt çka është bërë deri tani është ndihma e miqve ndërkombëtar, amerikanëve, ndryshe, Kosova ka dështuar dhe do të dështon akoma të siguron vota të mjaftueshme pa mbështetje të fuqishme ndërkombëtare. Kosova s'mund të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, sepse për t'u anëtarësuar të nevojiten shumë vota. SHBA-të si aleati ynë mundë të na i siguroj këto vota, sepse ne s'kemi fuqi ta bindim asnjë shtet për një votë. E aq më pak në Interpol dhe UNESCO. Krimi i organizuar lulëzon kur shteti udhëhiqet nga hajnat dhe kriminelët”, përfundon analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)