Vetëvendosje: Do të përpiqemi të arrijmë marrëveshjen me LDK’në

  • 02 January 2020 - 20:26
Vetëvendosje: Do të përpiqemi të arrijmë marrëveshjen me LDK’në

Isa Mustafa për të hënën ka thirrur organet e partisë, temë do të jetë koalicioni me Vetëvendosje. Këta të fundit thonë se do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Thirrjet e vazhdueshme të Presidentit, e bindën Kurtin që të shkojë në takim, veçse e në një datë të caktuar nga vetë ai.

E presidenti e ka pranuar këtë datë duke i caktuar kështu edhe orën se kur e pret në zyrë.

Mirëpo, Albin Kurti ende nuk ka një marrëveshje finale me LDK-në si të vetmin opsion për krijimin e qeverisë.

VV dhe Albin Kurti që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, me LDK e Isa Mustafës nuk po mund të merren vesh jo për parime, por për postet që do t’i ndajnë bashkë.

E LDK agjendën e ditës së 6 janarit e ka përcaktuar qysh nga kjo e enjte.

Isa Mustafa në orët e para të mëngjesi të së hënës do të mbledhë kryesinë e tek pas drekës do të thërras edhe grupin parlamentar.

Kjo u bë e ditur nga zyra për informim e LDK.

Ndërkohë, nga VV shpresojnë që më 6 janar të kenë një marrëveshje.

“Pavarësisht që ne nuk arritëm të dakordoheshim me LDK për koalicionin qeverisës para seancës konstituive të Kuvendit ne sërish ditëve në vijim do të përpiqemi me konstruktivitet të arrijmë një marrëveshje dhe qeveria e re me program të harmonizuar mes dy subjekteve tona të fillojë punën sa më parë. Kuvendi ka zgjedhur kryesinë e saj me në krye me deputetin Konjufca, ndërkaq tash presim që edhe ekzekutivi të konsolidohet sa më parë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Zhvillimet në drejtim të arritjes së marrëveshjes LVV – LDK, vijnë pas presionit të shtuar nga ndërkombëtarët.

Një ditë para festës së vitit të ri, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka takuar dy krerët e partive që pretendojnë të krijojnë institucionet e reja.

Ai ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë sa më shpejtë marrëveshjen.

(Kosova Sot Online)