Kush po i bllokon dosjet e UDB-së në Kosovë? Flet eksperti i sigurisë

  • 03 January 2020 - 14:25
Kush po i bllokon dosjet e UDB-së në Kosovë? Flet eksperti i sigurisë

“Ka dy aspekte në të cilat shprehet frika: nga njëra anë është grupi i njerëzve të përzierë me të kaluarën, që duhet të detyrohen të lënë disa privilegje dhe publikisht të zbulohet e kaluara e dëmshme e tyre, e që në realitet mund të përfshijë numër të madh të personave publik dhe politik, por ka dhe të atillë që mendojnë se ligji mund të keqpërdoret duke u kthyer në një luftë personale inatesh apo interesash”, thotë Shala për “Kosova Sot Online”.

Eksperti i fushës së sigurisë, Drizan Shala, pret që legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës që u formua së fundi, nëse ka jetëgjatësi të mjaftueshme sipas Kushtetutës, më në fund ta merr seriozisht dhe ta trajtojë edhe çështjen e lustracionit, bërjen e ligjit për lustracion dhe hapjen e dosjeve të ish spiunëve të UDB-së.

Sipas tij, një iniciativë e tillë, mundë të vie qoftë nga vetë ligjvënësit e zgjedhur nga populli, por edhe si ligj i sponsorizuar nga ana e Qeverisë.

Duke folur për “Kosova Sot Online” rreth kësaj teme, Shala thotë se Kosova është vonuar shumë me trajtimin ligjor të dosjeve të ish UDB-së, njerëzve që i kanë shërbyer atij regjimi, mirëpo nuk është vonë që të hapet kjo temë edhe tani, sepse është një praktikë që e kanë zhvilluar të gjitha shtetet tjera shumë më të zhvilluara se as Kosova.

Image
Drizan Shala

“Një ligj i tillë është dashur të jetë në vitin 2000, menjëherë pas përfundimit të luftës dhe pas çlirimit të Kosovës. Ligji për Lustracionin nuk është ligj kundër askujt, por është ligj që mbron një zhvillim të shoqërisë njerëzore, në këtë rast edhe të Kosovë”, thotë Drizan Shala për “Kosova Sot Online”.

Çështjen e lustracionit, sipas Shalës e kanë kaluar edhe vendet më të zhvilluara në Evropë, prandaj do të duhej kaluar edhe Kosova.

“Këtë ligj e ka vendos edhe Gjermania, gjitha shtetet të tjera në raport me shtetet që kanë qenë pjesë e lindjes. Është dashur të jetë edhe tek ne një ligj i tillë edhe pse është i vonshëm”, shton eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Shala thotë se hezitimi dhe rezistenca e bërjes së një ligji të tillë në Kosovë, vazhdon të jetë mjaft e madhe, ngase akoma nëpër institucione ka njerëz të atij regjimi dhe që kanë qenë pjesë e shërbimit të UDB-së.

“Kështu që veç frikës nga humbja e vendit të punës, i frikësohen dhe ndonjë lloji tjetër të hakmarrjes ndaj tyre. Ka dy aspekte në të cilat shprehet frika: nga njëra anë është grupi i njerëzve të përzierë me të kaluarën, që duhet të detyrohen të lënë disa privilegje dhe publikisht të zbulohet e kaluara e dëmshme e tyre, e që në realitet mund të përfshijë numër të madh të personave publik dhe politik, por ka dhe të atillë që mendojnë se ligji mund të keqpërdoret duke u kthyer në një luftë personale inatesh apo interesash”, përfundon Drizan Shala për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)