Ndërhyn Agim Bahtiri: Fola me anëtarë të kryesisë së LDK’së, dhe...

  • 07 January 2020 - 16:59
Ndërhyn Agim Bahtiri: Fola me anëtarë të kryesisë së LDK’së, dhe...

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka deklaruar se shumica e anëtarëve të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pro arritjes së menjëhershme të një marrëveshje mes LDK’së dhe Vetëvendosjes.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Bahtiri i ka bërë thirrje kreut të LDK’së, Isa Mustafës, që të nënshkruajë marrëveshjen sot ose nesër. Sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër përveç koalicionit.

“Për hir të qytetarëve dhe shumë proceseve që na presin, Isa Mustafa bën mirë që marrëveshjen ta nënshkruaj sot ose më së largu nesër, sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç bërjes së koalicionit, por që kjo nuk duhet të prolongohet më shumë”, ka shkruar Bahtiri.

Postimi i plotë:

Pas kontaktit që kam pasur me shumicën e anëtarëve të Kryesisë dhe deputetëve të LDK-së, kam parë vullnetin e tyre për arritjen e menjëhershme të marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Isa Mustafa si kryetar i LDK-së duhet ta qoj në vend porosinë e partisë së tij në takimin që po zhvillon me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti.

Për hir të qytetarëve dhe shumë proceseve që na presin, Isa Mustafa bën mirë që marrëveshjen ta nënshkruaj sot ose më së largu nesër, sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç bërjes së koalicionit, por që kjo nuk duhet të prolongohet më shumë.

AB

(Kosova Sot Online)