Detaje mbi arrestimin e gruas në Kosovë, kërkoi hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian

  • 08 January 2020 - 16:15
Detaje mbi arrestimin e gruas në Kosovë, kërkoi hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me ndalimin e Ikballe Berisha-Hudutit, e cila përmes rrjeteve sociale ishte shprehur kundër vrasjes së gjeneralit iranian, Kasem Sulejmani nga forcat amerikane, duke thënë se “hakmarrja është e detyrueshme”.

Në raportin e Policisë së Kosovës, thuhet se Berisha-Huduti dyshohet për veprën “e nxitjes në kryerjen e veprave penale terroriste”. Policia sqaroi se gjatë aksionit të zhvilluar në 7 janar, në Prishtinë, Drejtoria kundër terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka bastisur shtëpinë e të dyshuarës. 

“Gjatë kontrollit janë konfiskuar disa pajisje elektronike si dhe dëshmi të tjera të rëndësishme. E dyshuara është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në paraburgim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ikballe Berisha-Huduti kishte kritikuar Washingtonin, dhe kishte shkruar në Facebook se “duke vrarë të zotin e shtëpisë, ju keni vrarë të gjithë familjen, ndaj hakmarrja është e detyrueshme, por nuk ka kufij”.

Më pas, gruaja e kishte fshirë postimin kur ai ishte raportuar nga mediat lokale.

(Kosova Sot Online)