Rrëfimi tronditës i 63-vjeçares: Babai më shiti për 50 mijë lekë

  • 10 January 2020 - 19:03
Rrëfimi tronditës i 63-vjeçares: Babai më shiti për 50 mijë lekë

“Historia ime” në  ditën e sotme ka sjellë historinë e e trishtë të 63-vjeçares Fatime Fregjaj. Ajo në studio ka treguar për jetën e saj teje të vështirë. Kur ishte 16 vjeç, babai e martoi pa dëshirën e saj. Martesa zgjati vetëm një vit e gjysmë dhe më pas babai dhe prindërit e bashkëshortit kërkuan divorcin e tyre.

Më tej, Fatime rrëfen se në atë periudhë, babai e kishte shitur për 50 mijë lekë, tek një familje ku do shkonte si nuse. Nuk e pranoi martesën me djalin e asaj familjeje dhe babai vendosi ta martonte me një tjetër person. E gjendur pa rrugëzgjidhje dhe vetëm 16 vjeç, ajo pa si rrugëzgjidhje burgun për të shpëtuar nga martesa. Fatime bën me vetëdije dëshmi të rremë dhe dënohet me 10 muaj burg.

Mirela Milori: Kur është momenti që ti hyn në burg?

Fatime: Në 21 Prill të ’76!

Mirela Milori: Për çfarë arsye?

Fatime: Isha pa u divorcuar me gjykatë me këtë të Kamzës, mua më shiti baba 50 mijë lekë në Pukë.

Mirela Milori: Si të shiti babai? Se janë të forta këto që po thua tani!

Fatime: Janë të vërteta këto që kam kaluar po të them!

Mirela Milori: Si të shiti babai për 50 mijë lekë?

Fatime: Në Pukë, për të më dhënë nuse atje. Nuk shkova dhe s’më pranoi në shtëpi, se kishte marrë lekët dhe nuk do i kthente. Mbështetje s’kisha, s’më mbështeti as tezja, as xhaxhai. Edhe me polici në atë kohë.

Mirela Milori: Pra shkove në polici?

Fatime: Po dhe më çuan në shtëpi, i bënë presionit babait dhe më futi brenda. Një natë vijnë dy burra në shtëpi, njërin e njihja po tjetrin jo. Këtë që nuk e njihja i kishte ikur gruaja. Bënë me babain muhabet, se ishin të dy pijanecë. Dhe i thonë t’ia japim Fatimen për grua meqë i iku gruaja dhe ky me ato mend, më thotë do marrësh këtë për burrë, ose do dalësh në rrugë. 

Mirela Milori: Sa vjeç ishe?

Fatime: 16 e gjysmë!

Mirela Milori: Po prit se 16 e gjysmë ishte kur u martove në Kamëz?

Fatime: Isha akoma e padivorcuar nga ai tjetri. Dola të kërkoja gruan e atij me njerkun e saj. Thashë ka ardhur koha të hyj në burg, s’kisha alternativë tjetër.

Mirela Milori: Doje të hyje në burg?

Fatima: Po e bëra me qëllim të hyja në burg unë.

Mirela Milori: Po pse?

Fatime: Ose të merrja atë, ose të dilja në rrugë. Atij i vodhën orën dhe…

Mirela Milori: Ti bëre dëshmi sikur i vodhe ti orën?

Fatime: Jo, nuk e pashë që e vodhi ai, për kallëzim të rremë.

Mirela Milori: Sa muaj burg bëre për këtë?

Fatime: 10 muaj burg.

Fatime tregon më tej se 18 ditë pasi doli nga burgu, ajo qëndronte vetëm brenda në shtëpinë e babait. Ishin në situatë të keqe financiare dhe vendosi të shkonte të shiste gjak. Në spital u konfliktua me një punonjës të degës civile dhe për shkak se nuk po duronte më fjalët e tij, humbi durimin, mori një tullë dhe e goditi në kokë. Për pasojë, personi në fjalë mbeti i plagosur dhe ajo u fut edhe njëherë në burg, ku qëndroi një vit.

(Kosova Sot Online)