“Kosova në krizë të thellë”, eksperti i ekonomisë alarmon qeverinë e re

  • 11 January 2020 - 16:50
“Kosova në krizë të thellë”, eksperti i ekonomisë alarmon qeverinë e re

“Jam i bindur dhe i sigurt që këtu kanë gisht të gjitha partitë politike që janë ndërruar në qeveri njëra pa tjetrës, janë vetë politikanët që edhe vetë janë pronar të atyre objekteve, edhe pse nuk janë në emër të tyre, prandaj dëshirojnë të kjo situatë të zgjatet sa më shumë dhe ata të fitojnë pa ndershëm dhe në kurriz të qytetareve por edhe të buxhetit të cilin qeveria do të mundë ta investonte diku tjetër për nevoja të tjera të përmirësimit të jetës, qoftë në shërbimet sociale, shëndetësi apo në fushën e arsimit”, thotë Grapci për “Kosova Sot Online”.

 

Image
Dardan Grapci

Eksperti i fushës së ekonomisë, Dardan Grapci i rikujton qeverisë në ardhje se në programin e ri qeveritar, duhet të vendoset zgjidhje me prioritet tërheqja urgjente e të gjitha institucioneve, ministrive dhe agjencioneve të ndryshme publike nga objektet private me qira, dhe kthimi i tyre në objekte shtetërore. 

Sipas Grapcit, kjo praktikë e deritanishme e pagesës së qirasë për sistemim të institucioneve shtetërore, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga format më serioze të korrupsionit që i ka kushtuar miliona të tëra buxhetit të shtetit.

 Grapci madje mendon se qëllimisht nuk është zbatuar plani strategjik 2008 – 2015, që parashihte kalimin e të gjitha institucioneve nga objektet private në ato publike. 

“Vendosja në objekte private, i ministrive apo agjencioneve të tjera shtetërore e publike, gjithsesi është një strategji e mirë menduar korruptive e politikës në pushtet, edhe të qeverisë në detyrë por edhe të pushteteve të kaluara, sepse gjithmonë ka qenë planifikim vjetor sistemimi i institucioneve shtetërore nëpër objektet private, për të cilat janë derdhur milionat e buxhetit të shtetit, në vend se ato milionë të mirë planifikohen dhe të investohet në ngritjen e kapaciteteve vetanake për objekte të reja qeveritare”, thotë për “Kosova Sot Online”, eksperti i fushës së ekonomisë, Dardan Grapci.

“Pse po zgjatë me dekada të tëra një praktikë e tillë tani unë nuk mund ta them me saktësi, nuk e di arsyen e plotë pse po ndodhe kjo, por jam i bindur dhe i sigurt që këtu kanë gisht të gjitha partitë politike që janë ndërruar në qeveri njëra pa tjetrës, janë vetë politikanët që edhe vetë janë pronar të atyre objekteve, edhe pse nuk janë në emër të tyre, prandaj dëshirojnë të kjo situatë të zgjatet sa më shumë dhe ata të fitojnë pa ndershëm dhe në kurriz të qytetareve por edhe të buxhetit të cilin qeveria do të mundë ta investonte diku tjetër për nevoja të tjera të përmirësimit të jetës, qoftë në shërbimet sociale, shëndetësi apo në fushën e arsimit”, shton Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, nëse qeveria në ardhje që po pritet të ndërtohet nga LVV dhe LDK, me Albin Kurtin në pozitë kryeministrit, e mban premtimin për zero tolerancë kundër korrupsionit, duhet ta trajtojë edhe çështjen e korrupsionit në qira për sistemim të institucioneve qeveritare-të shtetit.

“Uroj dhe shpresoj që Albin Kurti si Kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, ta parandaloj dhe ta ndërpresë vazhdimin e këtij skandali shtetëror. Duhet të ndodhë kthimi në objekte shtetërore të të gjitha atyre dikastereve që janë planifikuar të sistemohen në objekte private, duke ia filluar nga Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sporteve deri tek ato ministri apo institucione të cilat janë momentalisht duke qëndruar nëpër objektet private. Kjo masë veprimi duhet të ndodhë për shkak se Kosova jo vetëm që është në një krizë të thellë financiare, por edhe rritja e papunësisë është në trendin e rritjes së madhe gjë që po vërehet dita ditës me shtimin e interesimit për ikje të qytetarëve jashtë vendit. Nuk janë pak dy milionë euro në vit që të investohen diku tjetër nga qeveria për hapjen e vendeve të reja të punës dhe të mos paguhet qira për sistemimin e institucioneve të shtetit në objekte private, sepse kjo është krejtësisht një strategji për përfitime të caktuara me korrupsion nga grupet e individëve që janë mësuar të vjedhin me këtë forum kontraktimi”, përfundon Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)