“Sfida e vështirë”, Qeverisë së re i vjen paralajmërimi i fortë: Ja çfarë e pret...

  • 12 January 2020 - 11:14
“Sfida e vështirë”, Qeverisë së re i vjen paralajmërimi i fortë: Ja çfarë e pret...

“Pala kosovare do të duhej të ishte dhe të mbahej parimore nga fillimi deri në fund pavarësisht se gjatë procesit do të priteshin interferime dhe intervenime nga faktori ndërkombëtar. Postulatet e platformës politike të palës kosovare do të duhej të përgatiteshin seriozisht nga Qeveria dhe të miratoheshin nga Kuvendi. Ndër postulate të asaj platforme do të duhej të ishin: reciprociteti, negocimi për çështje ndërshtetërore por jo vetëm për tema brenda kosovare, pikënisja nga fakti i Kosovës unike, si shtet unik e unitar me kufirin konstant të delimituar në vitet 1945-46 i cili pas arritjes së kompromisit politik ndërshtetëror të demarkohej, pra të shënjohej në terren”, thotë profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova sot Online”.

Profesori i së drejtës, Riza Smaka është i sigurt që vazhdimi i dialogut me Serbinë, do të jetë top prioritet i kërkuar nga faktori ndërkombëtar për Qeverinë e re të Kosovës që nga dita e parë e formimit.

Mirëpo profesor Smaka thotë se derisa nuk hartohet një platformë e mirëfilltë për këtë proces nga Kuvendi i Kosovës, Kosova nuk duhet të nxitohet dhe të futet në dialog vetëm pse është interesi i faktorit ndërkombëtar, dhe diçka që shkon në favor të Serbisë.

Image
Riza Smaka

“Dialogu ndërmjet përfaqësuesit të autorizuar të Kosovës dhe të Serbisë pa dyshim se që nga ditët e para të konstituimit të Qeverise së re të Republikës së Kosovës do të jetë një nga top temat politike e radhitur me prioritet për tu trajtuar seriozisht me synim të përfundimit bilateral e të lehtësuar dhe të garantuar nga faktori ndërkombëtar”, thotë Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas Smakës, procesi do të jetë sfidues dhe arritja e marrëveshjes e vështirë, prandaj duhet shkuar të përgatitur me postulate të bazuara në Kushtetutën e shtetit të Kosovës, dhe pa asnjë lëvizje përtej asaj që është e garantuar me Kushtetutë, në aspektin e sovranitetit dhe integritetit të shtetit.

“Arritja e marrëveshjes në fjalë është sfiduese në shumë çështje e pikëpamje. Pala kosovare do të duhej të ishte dhe të mbahej parimore nga fillimi deri në fund pavarësisht se gjatë procesit do të priteshin interferime dhe intervenime nga faktori ndërkombëtar. Postulatet e platformës politike të palës kosovare do të duhej të përgatiteshin seriozisht nga Qeveria dhe të miratoheshin nga Kuvendi. Ndër postulate të asaj platforme do të duhej të ishin: reciprociteti, negocimi për çështje ndërshtetërore por jo vetëm për tema brenda kosovare, pikënisja nga fakti i Kosovës unike, si shtet unik e unitar me kufirin konstant të delimituar në vitet 1945- 46 i cili pas arritjes së kompromisit politik ndërshtetëror të demarkohej, pra të shënjohej në terren”, shton Smaka për “Kosova Sot Online”. 

Sipas tij, edhe çështja e taksës duhet të mbetet çështje e pa prekshme, por të rregullohet vetëm mbi baza të reciprocitetit në fushën e tregtisë.

“Çështja e tarifës doganore apo e taksës do të zgjidhej reciprokisht nëpërmjet miratimit të klauzolës për qarkullimin e lirshëm të mallrave e shërbimeve, si dhe për eliminimin e të gjitha formave të dampingjeve e të monopoleve dhe të karteleve tregtare", përfundon profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)