Vjen alarmi për Vetëvendosjen dhe LDK-në: Ky është zhgënjimi i madh...

  • 16 January 2020 - 19:58
 Vjen alarmi për Vetëvendosjen dhe LDK-në: Ky është zhgënjimi i madh...

“Megjithëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike fituan shumicën e votave me premtimin për bashkëpunim dhe ndryshimin në qeverisje, droja e arsyeshme për pamundësinë e bashkëpunimit si dhe mungesën e vullnetit të mjaftueshëm dhe vendosmërisë së nevojshme, për formimin e qeverisë së re të vendit, ndërmjet LVV-s dhe LDK-s,duket se përfundimisht po bëhet realitet”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

 

Përplasjet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për pozita në qeverinë e ardhshme të Kosovës, sipas analistëve politikë po dëshmon se të gjitha zotimet e tyre për një bashkëqeverisje më të mirë në funksion të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, për sundimin e ligjit dhe për Vetitng-un, do të mbeten fjalë në erë. Sipas analistëve, deri më tani u treguan krejtësisht të përkushtuar si partner të ardhshëm qeverisë vetëm për forcimin e pozitave të tyre në qeverinë e re të Kosovës, por asnjëherë nuk e arsyetuan urgjencën e krijimit të qeverisë së re me nevojat për reforma dhe fillim të fuqizimit të sundimit të ligjit. 

Image
Gani Qarri

“Tani kur komunikimi mes këtyre dy subjekteve politike është acaruar akoma më shumë, dhe po vazhdon edhe me tej loja mes VV-së dhe LDK-së për krijimin i qeverise se re, analistët vlerësojnë se edhe qytetarët janë duke u bindur se as me VV-në nuk do të vjen ai ndryshim i premtuar dhe siç kanë pritur qytetarët”, thotë thotë për “Kosova Sot Online” analisti politik, Gani Qarri, duke shtuar se acarimi dhe tensionet e herë pas hershme patën filluar qysh në fushatën zgjedhore, dhe u shtuan tash së fundi pas zgjedhjeve në betejën për ndarjen e pushtetit.

“Polemikat e pareshtura, të shfaqura gjatë gjithë fushatës zgjedhore, ndërmjet eksponentëve të LDK-s dhe atyre të LVV-s, herë pas here kanë vazhduar, pothuajse me intensitet gati të njëjtë edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke prishur kështu atmosferën e bashkëpunimit dhe mos kuptuar sa duhet përgjegjësin politike të partive fituese, për krijimin e qeverisë së re dhe udhëheqjen e përbashkët të shtetit tonë të brishtë, në pritje të ndryshimeve të premtuara. Megjithëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike fituan shumicën e votave me premtimin për bashkëpunim dhe ndryshimin në qeverisje, droja e arsyeshme për pamundësinë e bashkëpunimit si dhe mungesën e vullnetit të mjaftueshëm dhe vendosmërisë së nevojshme, për formimin e qeverisë së re të vendit, ndërmjet LVV-s dhe LDK-s,duket se përfundimisht po bëhet realitet”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, pas shpërthimit të polemikave më të reja, LVV dhe LDK dëshmojnë hapur se për epilog të fundit, sërish do të kemi zhgënjimin e madh të qytetarëve të vendit.

“Vet përplasjet e shfaqura publike ndërmjet këtyre partive, për pozita në qeverinë e re të Kosovës,vërtetojnë edhe një herë më tepër, se të gjitha zotimet e tyre megalomane, për sundimin e ligjit, si dhe Vetingun në vend, do të mbeten vetëm fjalë në erë. Ato si "partner të ardhshëm", jo vetëm se nuk shfaqën, pothuajse asnjëherë deri më tani, vullnetin e duhur për bashkëpunim të sinqertë dhe dëshirën e mjaftueshme për formimin e qeverisë ndërmjet këtyre dy partive, por të dy palët,u treguan pothuajse krejtësisht të përkushtuar vetëm për forcimin e pozitave të veta në qeverinë e ardhshme të Kosovës”, shton analisti Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

“Duke lënë krejtësisht pas dore premtimet e dhëna ndaj qytetarëve, asnjëra nga këto dy parti, qoftë edhe një herë të vetme pas zgjedhjeve, nuk e arsyetuan urgjencën për formimin e qeverisë së re dhe domosdonë për reforma e fillim të fuqizimit të rendit dhe sundimit të ligjit në vend, por vazhduan zvarritjen deri në dështim të formimit të qeverisë së re,me lojën e ping-pongut politik ndërmjet tyre, dhe kështu u zbulua mashtrimi I madh dhe pabesia ndaj votuesve të cilët me të drejtë po e shohin se as koalicioni LVV- LDK nuk paska qenë alternative e qëlluar dhe e vërtetë për ndryshime, sepse lufta e deritanishme u zhvillua vetëm për pozitat e tyre në pushtet. Ndaj nga përplasjet e fundit me deklarata akuzuese si dhe ultimatumet e fajësimet e ndërsjella,ndërmjet udhëheqësve të LDK-së dhe atyre të LVV-së, të shfaqura përmes medieve publike, tashme qytetaret kudo,janë bindur plotësisht se edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, as me VV-në, nuk do të vjen ndryshimi i premtuar dhe ashtu siç kanë pritur e shpresuar populli në Kosovën tonë të vogël e të shumëvuajtur nga sundimet e deritanishme korruptive e kriminale të mafio-oligarkëve politik të vendit”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)