Ja çifti që u gjet i vrarë në Prizren, jetonin në Suedi, prokuroria jep detajet

  • 22 January 2020 - 15:33
Ja çifti që u gjet i vrarë në Prizren, jetonin në Suedi, prokuroria jep detajet

Prokuroria Themelore në Prizren, ka konfirmuar për vdekjen e një çifti në një shtëpi, që dyshohet për vrasje.

Themelorja thotë se sot është njoftuar policia se në rrugën “Jusuf Gërvalla” në lagjen Ortakoll në Prizren, në një shtëpi banimi janë gjetur dy persona pa shenja jete me inicialet D.H, dhe S.H, të cilët ishin bashkëshortë mes vete.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar së bashku me policinë dhe ekipin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre.

“Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, në trupat e viktimave janë vërejtur plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Gjatë shikimit në vendin e ngjarjes, është gjetur një armë e zjarrit – pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë arma me të cilën është kryer vepra penale”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. 

“Prokuroria Themelore në Prizren, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, përfundon njoftimi.

Viktimat në Prizren, burrë e grua që jetonin në Suedi

Dy personat, D.H dhe S.H. që janë gjetur të vdekur sot në shtëpinë e tyre në Prizren, janë burrë e grua që kanë jetuar në Suedi.

Vesel Gashi nga Policia e Kosovës ka thënë se dyshimet e para janë se bëhet fjalë për vrasje dhe se aty është gjetur një armë zjarri me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Ai ka thënë se ende s’ka të dyshuar apo të arrestuar për rastin.

Ata kishin hyrë në Kosovë më 20 janar.

(Kosova Sot Online)