“Milionat e vëllezërve të Hashim Thaçit”, shpërthen analisti i njohur

  • 25 January 2020 - 07:37
“Milionat e vëllezërve të Hashim Thaçit”, shpërthen analisti i njohur

“Për çfarë prokurorie po flasim?! Në Kosovë nuk kemi drejtësi. Kemi një sistem të drejtësisë që funksionon si lloj biznesi. Po të kishim gjërat do të ishin ndryshe, dhe s'do të kishim politikanë milioner dhe mbretër të këtij vendi”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Biznesi i vëllait të presidentit Hashim Thaçi, “Geo-Mineral” nuk do të mund t'i shfrytëzojë më pasuritë nëntokësore të vendit, së paku deri në një vendim të ardhshëm të institucioneve. Kjo për shkak se të gjitha aktivitetet e “Geo-Mineral” u pezulluan me vendim të Kuvendit Komunal të Malishevës dhe prej 15 ditësh firma ka ndalur operimet në gurthyesin e saj në Astrazub. Njoftimi për këtë pezullim të punimeve është publikuar ditë më parë nga Komuna e Malishevës.

“Kuvendi i Komunës së Malishevës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurthyesve në territorin e komunës së Malishevës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit Komunal të Malishevës, të datës 6 janar.

Por analistët politikë theksojnë se kjo ndalesë e përkohshme nuk do të duhej përfunduar vetëm me kaq, do të duhej hetuar edhe nga Prokuroria e shtetit operimi i kundërligjshme dhe dëmtimi i natyrës nga kjo kompani, kompani e cila ka qarkullim milionësh nga shfrytëzimi i pasurisë nëntokësore dhe prokurimet publike. Sipas tyre, do të duhej hetuar se si i ka trashur familja e Thaçit milionat duke dëmtuar rëndë natyrën, dhe duke rrezikuar banoret e fshatit Astrozub, por edhe se si e ka keqpërdorur detyrën zyrtare i pari i vendit, qoftë tash si president apo edhe si kryeministër në të kauarën.

Analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online” thotë se një hetim i tillë do të ndodhte vetëm në një shtet ku funksionon si duhet sistemi i drejtësisë së pavarur, por në Kosovë kjo kërkesë është vetëm një ëndërr dhe dëshirë e pa realizueshme e qytetarëve dhe njerëzve vullnetmirë që nuk janë të lidhur me krimin.

Image
Faik Krasniqi

“Në Kosovë janë me dhjetëra e qindra kompani që janë në emrin e familjarëve të politikanëve, ose të biznesmenëve që janë krijuar nga këta politikanë. Vjedhja e buxhetit dhe pasurisë natyrore të Kosovës, pastrohet nëpër këto kompani. Asnjë kompani e madhe dhe e mesme në Kosovë, nuk mundë të funksionoj pa politikën. Të gjithë tenderët, grandet dhe subvencionet shkojnë nëpër këto biznese. Prandaj këtyre nuk u leverdis që ekonomia e vendit të zhvillohet, sepse dëmtohen bizneset mbrapa të cilave qëndrojnë ata”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Ky lloj i krimit të organizuar, sipas Krasniqit assesi nuk do të lejohej në një shtet të mirëfilltë të së drejtës, por në Kosovë nuk ka drejtësi, nuk ka prokurori të pavarur, prandaj nuk i heton as nuk merret askush me ta.

“Për çfarë prokurorie po flasim?! Në Kosovë nuk kemi drejtësi. Kemi një sistem të drejtësisë që funksionon si lloj biznesi. Po të kishim gjërat do të ishin ndryshe, dhe s'do të kishim politikanë milioner dhe mbretër të këtij vendi”, deklaron analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)