Izolohet Kina, 81 të vdekur nga koronavirusi

  • 27 January 2020 - 13:01
Izolohet Kina, 81 të vdekur nga koronavirusi

Koronavirusi u ka marrë jetën 81 personave deri më tani. Më shumë se 400 të tjerë janë në gjendje kritike, ndërsa gati 3 mijë persona konfirmohen të prekur nga ky virus.

Në përpjekje për të ulur shanset e infektimit gjatë një prej sezoneve më të ngarkuara të udhëtimit në Kinë, zyrtarët njoftuan se festa e Viti i Ri Hënor do të shtyhej të paktën deri më datë 2 shkurt. Autoritetet kanë rritur gjithashtu masat duke kufizuar udhëtimet nëpër vend. 

Të hënën bashkia e Chongqing, që ka një popullsi prej 30 milionë banorësh tha se kishte ndaluar udhëtimet me autobusë, në distanca të gjata. Kjo bashki kufizohet me provincën e Hubei, ku janë shënuar dhe pjesa më e madhe e vdekjeve. Masa të ngjashme njoftoi përgjatë fundjavës edhe Pekini, Shangai dhe provinca lindore e Shandong.

Pezullimi i shërbimit të autobusëve në distanca të largëta, mënyra më e lirë për të udhëtuar, me gjasë pritet të ngadalësojë kthimin e miliona emigrantëve të cilët vizituan familjet e tyre përgjatë vitit të ri hënor.

Zyrtarë të qeverisë shpjeguan se me shtyrjen e fundit të kësaj feste nga e diela në të premten, shpresonin që të ulnin në mënyrë të ndjeshme grupime të mëdha njerëzit dhe të bllokonin përhapjen e epidemisë.

Shumë prej rrjeteve më të mëdha të dyqaneve kineze njoftuan gjithashtu se do të qëndronin përkohësisht të mbyllur, ndërsa disa biznese dhe banka online këshilluan punonjësit që ktheheshin nga provinca e Hubei që të punonin nga shtëpia.

(Kosova Sot Online)