Vazhdon kontrolli në oborrin e të dyshuarit për vrasjen e policit, mund të ketë mina

  • 29 January 2020 - 12:35
Vazhdon kontrolli në oborrin e të dyshuarit për vrasjen e policit, mund të ketë mina

Mbrëmjen e së martës në fshatin Zhur të Prizrenit, zyrtari policor, Sami Thaçi, humbi jetën në krye të detyrës, gjatë një bastisjeje që po bëhej në një shtëpi nga Njësia e specializuar e Antidrogës. Ndërsa edhe dy policë të tjerë janë dërguar Spitalin e Prizrenit për ndihmë mjekësore, kurse një tjetër në QKUK, pasi gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. I lënduar në vendngjarje mbeti edhe djali i të dyshuarit që kreu sulmin. Gazeta Media po qëndron në Zhur ku sjell edhe detaje nga ngjarja e rëndë

Ishte në hall me burrin i cili po ushtronte dhunë psikike dhe fizike ndaj saj. Gruaja nga Zhuri i Prizrenit telefonoi policinë, për të raportuar të bëmat e bashkëshortit.

Policia shkoi në vendin e ngjarjes, por atje përveç dhunës në familje, hasën edhe në substanca të dyshuara narkotike.

Me këtë rast, u thirr Njësia e Specializuar e Antidrogës, ndaj të cilëve burri i dyshuar për dhunë në familje dhe posedim të substancave narkotike, kreu një sulm të rëndë.

Në oborrin e shtëpisë së tij ai kishte vendosur eksplozivë, të cilët shpërthyen dhe si pasojë, zyrtari policor Sami Thaçi, humbi jetën, e tre kolegë të tij mbetën të lënduar.

Media po qëndron në familjen ku mbrëmjen e së martës ndodhi sulmi.

Në mesin e të lënduarve, ishte edhe djali i të dyshuarit për sulmin, i cili u plagos lehtë në kokë dhe është jashtë rrezikut për jetë. 

Ndërkaq vajza 7-vjeçare e të dyshuarit ka marrë trauma pas shpërthimit, pasi ndodhej në shtëpi në momentin kur babai i saj e shpërtheu eksplozivin.

Policia atje ende po zhvillon kontrolle, pasi është raportuar se edhe pjesë të tjera të oborrit mund të jenë të minuara.

Dy policët e lënduar të cilët ishin duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit, pas trajtimit mjekësor janë liruar për në shtëpi, pasi gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

Një tjetër polic është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, pasi gjendja e tij shëndetësore është më e rëndë. Ai ka pësuar lëndime të rënda në kokë, në fytyrë e në qafë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës, Sami Thaçi, i cili vdiq në detyrë, do të varroset sot me nderime të larta shtetërore.

(Kosova Sot Online)