Virusi po afrohet, masa të forta në Ballkan!

  • 29 January 2020 - 15:28
Virusi po afrohet, masa të forta në Ballkan!

Teksa shqetësimi nga përhapja e koronavirusit, sa vjen e rritet, disa vende të Ballkanit kanë nisur të marrin masa paraprake për frenimin e epidemisë, që fillojnë nga fushatat e informimit për mbrojtjen e qytetarëve e deri tek ashpërsimi i kontrolleve në kufi.

Serbia ka shtuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar dhe të gjithë udhëtarët nga zonat e infektuara janë të detyruara të raportojnë tek shërbimet epidemiologjike brenda 24 orëve pasi të hyjnë në vend.

Në Rumani, Ministria e Shëndetësisë deklaroi në një konference për shtyp se ka krijuar “linja speciale” në aeroporte për udhëtarët që vijnë nga Kina, të cilat janë të pajisura me kamera skanimi termik, të afta të diktojnë pasagjerët e sëmurë.

Autoritetet rumune kanë përcaktuar gjithashtu spitalet e qyteteve të mëdha që kanë mundësinë të kujdesen për personat e infektuar. Përpos kësaj, kanë në plan të vënë në karantinë një ansambël të tërë folklorik prej 25 personash të porsa kthyer nga Kina. Duke nisur nga e hëna, edhe Maqedonia e Veriut vendosi kamera termike në aeroportin e saj kryesor ndërkombëtar në Shkup.

Autoritetet atje druhen se infeksioni mund të përhapet me fluturime që vijnë nga Dubai e Stambolli, të cilat udhëtarët që udhëtojnë nga Kina i përdorin jo rrallëherë si tranzit. Në Malin e Zi, policia kufitare është duke verifikuar imtësisht pasagjerët që mbërrijnë nga Kina dhe nëse konsiderohet e nevojshme, ato ekzaminohen edhe nga një ekip specialistësh. Ministria e jashtme kroate ndërkohë i ka paralajmëruar shtetasit atje të “shtyjnë udhëtimet në provincën Hubei dhe qytetin e Wuhanit”.

Autoritetet greke kanë vendosur të ndalojnë udhëtimet e organizuara turistike nga Kina në Greqi. Italia gjithashtu ka marrë masa të rrepta në aeroporte ku pasagjerët kontrollohen me kujdes për simptoma të virusit.

(Kosova Sot Online)