Rusia i del në krah Palestinës, e vë në pikëpyetje planin e Trump-it

  • 02 February 2020 - 14:03
Rusia i del në krah Palestinës, e vë në pikëpyetje planin e Trump-it

Agjencitë ruse të lajmeve e kanë cituar një zëdhënës të Kremlinit të ketë thënë të dielën se plani i paraqitur nga presidenti amerikan, Donald Trump, për paqe mes Izraelit dhe Palestinës, bie në kundërshtim me disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara.

Më saktësisht, ky zyrtar e ka vënë në pikëpyetje fizibilitetin e planit të kreut të Shtëpisë së Bardhë, i cili u mirëprit nga Izraeli, por u kundërshtua nga Autoriteti Palestinez, shkruan “Reuters”.

Si reagim ndaj këtij plani, udhëheqësit politikë palestinezë madje vendosën që t’i shkëpusin të gjitha marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, përfshirë bashkëpunimin në fushën e sigurisë. 

“Ne e shohim reagimin nga Palestinezët, e shohim reagimin e një grupi të madh të vendeve arabe, të cilat e kanë marrë anën e palestinezëve dhe e kanë kundërshtuar planin. Qartazi, kjo na bën të mendojmë për fizibilitetin e tij”, u citua të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Sipas planit të Trump-it, do të njihej shteti palestinez, por edhe sovraniteti i Izraelit në vendbanimet e Bregut Perëndimor. Kryetari i Autoritetit Palestinez, Mahmboud Abbas, ka thënë se nuk do të lejojë që ky plan të realizohet.

(Kosova Sot Online)