Britania kërkon nga qytetarët e vet të largohen nga Kina

  • 04 February 2020 - 14:35
Britania kërkon nga qytetarët e vet të largohen nga Kina

Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe ka kërkuar nga qytetarët britanikë që të largohen nga Kina, nëse kanë mundësi.

Në njoftimin e autoriteteve për këshilla të udhëtimeve thuhet: “Konsullata e Përgjithshme Britanike në Wuhan dhe Chongqing tash për tash janë të mbyllura. Nëse ndodheni në Kinë dhe keni mundësi të largoheni, duhet ta bëni këtë. Personat e moshuar dhe ata që kanë vuajtur nga sëmundjet e ndryshme në të kaluarën mund të jenë më të rrezikuar.”

Për më tepër, në këtë njoftim paralajmërohet mungesa e fluturimeve të drejtpërdrejta mes Kinës dhe Mbretërisë së Bashkuar në javët e ardhshme, shkruan “The Guardian”. 

“Disa kompani ajrore, përfshirë British Airways dhe Virgin Atlantic, kanë njoftuar për ndërprerjen e fluturimeve nga Kina dhe drejt Kinës. Kompanitë e tjera ende janë duke operuar, por qasja në fluturime mund të jetë më e vështirë në javët në vijim”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndryshe, rreth 430 njerëz kanë vdekur deri më tash nga koronavirusi dhe më shumë se 20 mijë të tjerë janë infektuar. Shumica e të vdekurve dhe të infektuarve janë regjistruar në provincën Hubei të Kinës.

(Kosova Sot Online)