Osmani për fotografinë e Presidentit: Thaçi është aty ku duhet, Rugova është aty ku e meriton

  • 05 February 2020 - 17:00
Osmani për fotografinë e Presidentit: Thaçi është aty ku duhet, Rugova është aty ku e meriton

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka folur edhe njëherë lidhur me fotografinë e Presidentit Hashim Thaçi në Kuvend. Ajo thotë se fotografia është zhvendosur dhe gjendet aty ku është në përputhje me ligjin, ndërsa për fotografinë e Presidentit Rugova thotë se gjendet aty ku e meriton.

Osmani është akuzuar nga zyrtarë të PDK’së se e ka shkelur ligjin duke e hequr fotografinë e Presidentit Thaci nga vendi ku ishte deri tani në Kuvend. Osmani thotë se ajo e njeh mirë ligjin dhe se fotografia është zhvendosur në përputhje me ligjin.

“Në asnjë moment nuk është hequr. Është zhvendosur. Në raport me ligjin të mbahet fotografia. Ligjin e njoh shumë mirë. Kushtetutën edhe më mirë”, ka thënë Osmani gjatë konferencës me shefen e misionit të BE’së, Natalyia Apostolova.

Ndërkaq për fotografinë e presidentit Rugova thotë se është normale të vendosen themeluesit e shtetit.

“Është traditë në gjithë botën, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku mbahen fotografitë e themeluesve të shtetit”, ka thënë Osmani.

“Fotografia është aty ku duhet në përputhje me ligjin, ndërsa fotografia e arkitektit të pavarësisë, Presidentit Ibrahim Rugova, është aty ku e meriton të jetë”, është shprehur kryeparlamentarja.

Zyrtarë të PDK’së e akuzonin se ndjen urrejtje ndaj Thaçit, e Osmani thotë se kjo nuk është e vërtetë.

“Nuk kam ndjenjë hakmarrëse ndaj kujt në republikën e Kosovës, ndaj asnjë shqiptari. E fundit, nëse dikush dëshiron t’i qes veprimet jashtë kontekstit, do të duhej të ishin vetë respektues të ligjit”, u shpreh Osmani.


(Kosova Sot Online)