Hoti: Vendimet e Ramush Haradinajt pas dorëheqjes do të rishikohen

  • 05 February 2020 - 21:35
Hoti: Vendimet e Ramush Haradinajt pas dorëheqjes do të rishikohen

Zëvendëskryeministri i parë, Avdullah Hoti, ka thënë se të gjitha vendimet e ish-kryeministrit Ramush Haradinajt pas datës 19 korrik 2019 do të rishikohen.

“Krejt vendimet pas dorëheqjes së Haradinajt do të rishikohen nëse ka pasur legjitimitet apo jo”, ka thënë Hoti.

Duke folur për privatizimin, Hoti tha se orientimet e kësaj qeverie janë që ndërmarrjet që nuk janë monopole natyrore duhet të shkojnë drejt privatizimit.

Ai insiston se duhet të shikohen të gjitha se në çfarë faze ndodhen.

“Do të shohim se në cilën fazë është Kosova e Re, pasi ende nuk i dimë detajet. Do të marrim vendimet meritore në interes të shtetit. Orientimi jonë nuk është që të ndërpresim kontratën, por për ne është që Kosova të jetë e fortë energjitikisht. Por, që të jetë në interes tonin. Studimet e fundit thotë se informaliteti në Kosovë në dy vitet e fundit, jo që nuk është zvogëluar, por ka arritur mbi 40 për qind, kurse ne e kishim zbritur në rreth 29 për qind”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se në krye të Doganës dhe ATK-së do të vendosen njerëz të rinj, pasi personat aktual janë vendosur në mënyrë jolegjitime, sipas tij. Megjithatë, ai thotë se gjithçka do të rishikohet.

“ATK-ja dhe Dogana do të bashkohen. Së shpejti do të zgjedhën njerëz të rinj në krye të tyrë dhe do të rishikojmë bazën ligjore. Në bazë të vlerësimeve të Ambasadës Britanike drejtori i ATK-së është zgjedhur në mënyrë jolegjitime, e atij të Doganës i vazhduar mandati në mënyrë jolegjitime”, ka thënë Hoti.

Ai insiston se Telekomi do të privatizohet.

“Nuk ka orientim tjetër përveç privatizimit të Telekomit, kjo nuk do të ndodhë menjëherë por do të realizohet gjithsesi. Ne do të bëjmë vlerësim të performancës së ndërmarrjeve publike, ka ndërmarrje që nuk e kanë mbuluar fare shërbimin që e ofrojnë me të hyra, por kanë pasur humbje vit pas viti. Ne do të vendosim indikatorë të performancës dhe do të sigurohemi që bordet të jenë profesionale. Sepse jemi dakorduar për depolitizim të agjencive. Ne po koncentrohemi të borde profesionale, njerëz që dinë si funksionon tregu”, ka thënë Hoti.

Duke folur për investime në Brezovicën, Hoti tha se vendi ka bazë ligjore por duhet stabilitet politik.

“Unë besoj që bazën ligjore tani e kemi të rregulluar përmes ligjit për investime strategjike në përzgjedhjen e investitorëve për Brezovicën dhe projekte tjera. Një pako për përzgjedhjen e investitorëve do të zhvillohet, por ka bazë ligjore. Unë besoj që përmes kësaj qeverie është krijuar një stabilitet për të ardhmen, për investitorët e huaj, sepse mungesa e stabilitetit politik shkakton largimin e investitorëve të huaj dhe ky nuk është një problem vetëm në Kosovë por në gjithë rajonin”, ka thënë ai në KtV.

Hoti ka shtuar se marrëdhëniet e mira duhet të ketë Kosova me të gjithë edhe për shkak të ekonomisë.

“Prandaj është e rëndësishme që të kemi marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit. Normalizimi i marrëdhënieve edhe nëse nuk kemi njohje nga Serbia duhet të ndodhë edhe për arsye ekonomike dhe të investimeve të huaja sepse investimet si ai në Brezovicë do janë projekte rajonale, jo vetëm të Kosovës”, ka thënë ai.


(Kosova Sot Online)