“Unë të dua”, ritakohen Kurteshi e Thaçi, kësaj here për t’u betuar

  • 06 February 2020 - 11:53
“Unë të dua”, ritakohen Kurteshi e Thaçi, kësaj here për t’u betuar

Janë betuar para Presidentit të vendit, anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor. Me këtë rast, ishte edhe Sami Kurteshi, i cili një vit më pati një nga debatet më të përfolura me Thaçin në Kuvendin e Kosovës.

Debati për dëbimin e gylenistëve në Komisionin Hetimor, veçmas ai mes Kurteshit e Thaçit, pati eskaluar aq sa i pari i shtetit i thoshte ish-deputetit “të dua”, e “të hëngshin bletët”.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, që sot u emërua si anëtar i KQZ’së, shkoi në zyrën e Presidentit për t’u betuar, ashtu sic e parashohin procedurat e emërimit.

Nuk dihet nëse takimi i sotëm mes Thaçit e Kurteshit ka qenë më i relaksuar, megjithatë në Kuvend, zyrtari i VV’së i kishte thënë Thaçit “sa i poshtër je”, e Presidenti ia kishte kthyer “sa i lezetshëm je”. 

Dhjetë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sot janë betuar para presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa në ceremoni mori pejsë edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Thaçi i uroi suksese dhe punë të mbarë të gjithë anëtarëve të rinj të KQZ.

Lëvizja Vetëvendosje ka dy anëtarë, ndërsa të gjitha grupet e tjera parlamentare kanë nga një përfaqësues.

Betimi i anëtarëve i hap rrugë proceseve pas krijimit të qeverisë së re, ndërsa KQZ pritet të organizojë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë pas emërimit të Agim Veliut si ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Image

(Kosova Sot Online)