Borell në Washington, takon këshilltarin e Trumpit që ndërmjetësoi për linjën ajrore Prishtinë-Beograd

  • 06 February 2020 - 14:06
Borell në Washington, takon këshilltarin e Trumpit që ndërmjetësoi për linjën ajrore Prishtinë-Beograd

Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, do të qëndrojë për dy ditë në Washington në një vizitë zyrtare ku do të takohet me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, dhe disa këshilltarë të presidentit Donald Trump.

Njoftimi për udhëtimin e Borell drejt SHBA’së është dhënë përmes faqes zyrtare të EEAS. 

“Josep Borell, Përfaqësuesi i Latë për Punë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, do të udhëtojë për në SHBA përgjatë 6 dhe 7 shkurtit. Kjo do të jetë vizita e parë e Josep Borell në Shtetet e bashkuara në rolin e Përfaqësuesit të Lartë dhe zëvendës presidentit”, thuhet në njoftimin e EEAS.

Borell atje do të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe me zëdhënësen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Gjithashtu Përfaqësuesi i Lartë i BE’së do të takojë edhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Trump, Robert O’Brien , i cili ishte edhe pjesë e ekipit të emisarit për dialogun, Richard Grenell, përgjatë arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi për hapjen e hapësirës ajrore dhe lëshimin e linjës Prishtinë-Beograd.

Me shumë gjasë në Washington, Borell do të diskutojë edhe për çështjen e zgjidhjes së problemit Prishtinë-Beograd, pasi që tashmë SHBA’të janë involvuar direkt dhe synojnë arritjen e një marrëveshje finale.

Përgjatë qëndrimit në Prishtinë Borell kishte thënë se nuk do të bëjnë gara me Grenellin, por do të bashkëpunojnë ngushtë dhe do të jenë bashkë në çështjen e dialogut. Kjo pasi ditë më parë Grenell kishte thënë se në dy marrëveshjet e arritura për linjën ajrore dhe hekurudhat nuk kanë qenë të përshirë as BE, as Gjermania e as Franca.

(Kosova Sot Online)