Arrestohet i dyshuari për dhunim të pesëvjeçares në Indi

  • 06 shkurt 2020 - 14:12
Arrestohet i dyshuari për dhunim të pesëvjeçares në Indi

Një 25-vjeçar është arrestuar pas dyshimeve se ka dhunuar një pesëvjeçare në ambientet e ambasadës amerikane në kryeqytetin e Indisë, Delhi.

Policia ka thënë të enjten se ai është arrestuar të dielën pasi prindërit e vajzës kanë bërë ankesë në këtë institucion.

Vajza, që është sulmuar të shtunën në mëngjes, është në gjendje stabile.

Doktorët kanë konfirmuar se ajo është dhunuar.

Familja e saj jeton në afërsi të ambasadës, pasi babai i vajzës është pjesëtar i stafit që mirëmban objektin.

Policia ka thënë se i akuzuari nuk është i punësuar në ambasadë, mirëpo jeton me prindërit e tij në zonën e stafit, meqë aty punon babai i tij.

Në ambasadën amerikane në Delhi gjenden edhe zyrat e disa ambasadave tjera dhe komisioneve të larta.

Më 2018, qeveria e këtij shteti ka marrë vendim të dënim me vdekje për ata që dhunojnë fëmijët pas dy rasteve të shënuara, ku viktima kanë qenë një tetëvjeçare dhe një 16-vjeçare.

Sipas të dhënave të fundit të Indisë për krime, çdo e katërta viktimë e dhunimit është fëmijë.

(Kosova Sot Online)