Paralajmërimi: Ky është kushti që Albin Kurti duhet t’ia vë Serbisë

  • 07 February 2020 - 17:43
Paralajmërimi: Ky është kushti që Albin Kurti duhet t’ia vë Serbisë

“Unë e përkrahi një ligj mbi krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin sepse fakte për një ligj të tillë ka mjaftë. Gjithashtu janë për analizimin e qartë dhe detal të krimeve kundër njerëzimit”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online” .

Kryeministri i sapozgjedhur i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me të marr mandatin e tij nga parlamenti, ka paralajmëruar padi ndaj Serbisë për krimet dhe dëmet e luftës.

"Do të jemi qeveri që do të bëjë dënimin e krimeve të luftës. Do të miratohet ligji për krimet e luftës, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit dhe agresionit. Do të themelohet “Instituti për Krimet e Luftës”, i cili e mbështet prokurorinë në dokumentimin e krimeve të luftës. Nga institucionet kompetente, bazuar në ligjin vendor dhe ndërkombëtar, do të përgatitet padia kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë", ka thënë Kurti.

E lidhur me këtë, profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi ka thënë për “Kosova Sot Online”, se do të ishte një veprim i domosdoshëm dhe i qëlluar, por derisa këtë nuk e ka dokumentuar duke e prezantuar në letër, atëherë akoma mbetët të dyshohet se është vetëm premtim i natyrës së konsumit publik për opinionin, dhe jo veprim praktik që planifikohet të jetësohet nga ditët e para të fillimit të qeverisjes.

Image
Muhamet Kelmendi

“Çështjet e deklaruara në Kuvend ishin pjesë programore, të programit, por në nuk e kemi parë programin, por mendohet se fjala e z. Kurti është pjesë e programit. Megjithatë edhe ato që u thanë janë sipërfaqësore dhe pa ndonjë rëndësi të veçantë. Në diskutimin para kuvendarëve mungoi sqarimi adekuat. Kosova nuk vuan për ligje. Ka mjaftë të tilla, madje shume moderne, sepse kanë ardhur nga shtetet liberale dhe demokratike. Kosovës i ka munguar guximi për ti zbatuar ligjet. Dhe kjo tani kërkohet nga Qeveria që ta realizon. Unë e përkrahi një ligj mbi krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin sepse fakte për një ligj të tillë ka mjaftë. Gjithashtu janë për analizimin e qartë dhe detal të krimeve kundër njerëzimit”, thotë profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online” .

Sipas tij, në këtë drejtim duhet ndërmarr veprime të shpejta dhe konkrete, e nuk duhet kënaqur vetëm me formimin e "Institutit për Krimet e Luftës". 

“Nuk mendoj se mjafton vetëm formimi i këtij instituti. Kosovës i duhet ligj dhe Prokurori e veçantë për krimet e luftës dhe një Gjykatë e Specializuar dhe që merret vetëm me këto lëndë. Ndërsa, sa i përket padisë për krimet e luftës kundër Serbisë, mendoj se duhet vepruar dhe duhet gjetur modalitetet se si të ngritët ajo pranë asaj Gjykate Ndërkombëtare”, shton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, lidhur me bisedimet me shtetin serb, Kryeministri është deklaruar se vetëm reciprociteti do të futet në veprim.

“Fjala është temë pas teme etj. Pra, çështjet e tilla nuk janë paraqitur si kushte për bisedime. Ato janë qëndrime të brendshme që mendon Qeveria me i realizuar në qeverisjen e vetë. Mirëpo këtu dua të them edhe një herë fakt me dhjetëra herë e kam deklaruar, atë se nuk ka reciprocitet adekuat pa e njohur nga ana e Serbisë shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës. Vetë mos njohja dhe fillimi i bisedimeve jep për të kuptuar pa barazinë që po e mbron Serbia. Ata, shteti serb, po e konsideron këtë proces dialogu se si po bisedon në krahinën serbe të jugut të Serbisë. Ndërsa, Kosova nuk di se çka përfaqëson në ato bisedime, pra, rrethin, qarkun, krahinën a shtetin. Jemi kështu disproporcion të lartë. Kosova duhet të fillon bisedimet vetëm pas njohjes së shtetit nga Serbia. Nuk ka nevojë shteti i ynë të bëjë ekzibicione politike”, thekson Kelmendi për “Kosova Sot Online “.

Për fund, Kelmendi thotë se Kosova është shtet dhe duhet të bisedojë vetëm me ato subjekte që e njohin shtetin, apo që duhet të përgatiten për ta njohur shtetin e Kosovës.

“Kjo vlen në raportet ndërkombëtare. Po te Serbia jo sepse Serbia është agresore, kriminale dhe ka kryere krime e gjenocid të rëndë ndaj popullit shqiptar. Këtej ka rregulla të veçanta. Natyrisht se dialogun e zhvillon Qeveria, por edhe Presidenti ka kompetencat e veta në raport me subjektet ndërkombëtare. Ligji nuk e përjashton asnjërin dhe të dytë duhet të bashkëpunojnë ngushtë në mes veti. Kjo është rruga ligjore”, përfundon profesor Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)