Britania përfshihet nga stuhia Ciara, shkaktohen pengesa në udhëtime

  • 09 February 2020 - 11:04
Britania përfshihet nga stuhia Ciara, shkaktohen pengesa në udhëtime

Një stuhi e fuqishme me reshje të mëdha të shiut e ka përfshirë një pjesë të konsiderueshme të Britanisë së Madhe.

Kompanitë e fluturimeve i kanë anuluar dhjetëra fluturime brenda dhe jashtë vendit, ndërsa edhe kompanitë e hekurudhave i kanë këshilluar pasagjerët që t’i shmangin udhëtimet gjatë motit të lig.

Edhe udhëtarët që i shfrytëzojnë tragetet po përballen me vonesa dhe anulime, kurse vozitësit e veturave janë këshilluar që të kenë kujdes të veçantë për shkak të kushteve të rrugëve. 

Autoritetet e kanë vendosur paralajmërimin e motit me ngjyrë të portokalltë për shkak të regjistrimit të erërave me shpejtësi deri në 145 kilometra në orë.

Në Perth, tre persona u lënduan pasi një pjesë e kulmit të një pijetoreje ra në tokë, shkruan “BBC”.

Në një hekurudhë është ndërprerë përkohësisht qarkullimi i trenave për shkak se në binarë era e hodhi një trampolinë.

Meteorologët kanë paralajmëruar se reshjet e shiut në disa zona mund të arrijnë deri në 100 milimetra.

(Kosova Sot Online)