Trump kërkon 2 miliardë dollarë për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën

  • 10 February 2020 - 12:11
Trump kërkon 2 miliardë dollarë për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e dorëzoi propozimin për buxhetin prej 4.8 triolonë dollarësh, në të cilin parashihet zvogëlim i shpenzimeve në ndihmat e jashtme dhe sigurisë sociale, por shpenzime miliardëshe për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën.

Me planin e buxhetit do të kërkohen dy miliardë dollarë shtesë për përfundimin e projektit të murit kufitar, i cili ka qenë pjesë e premtimit zgjedhor të presidentit Trump që nga fushata e vitit 2016. 

Në këtë propozim janë paraparë shpenzime më të mëdha edhe për NASA-n, Departamentin e Çështjeve të Veteranëve dhe Departamentin e Sigurisë së Atdheut, shkruan “Daily Mail”.

Megjithatë, ka pak gjasa që ky propozim të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve, sepse shumica e anëtarëve të këtij organi vijnë nga radhët e Partisë Demokratike në opozitë.

Administrata e presidentit Trump vitin e kaluar i kishte kërkuar 5 miliardë dollarë për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, ndërsa këtë vit shifra ishte shumë më e vogël.

Shpenzimet më të mëdha në këtë plan janë paraparë për NASA-n, e cila do të ketë buxhet 12 për qind më të lartë.

(Kosova Sot Online)