Mbyllet sezoni i gjuetisë për periudhën 2019-2020

  • 10 February 2020 - 13:14
Mbyllet sezoni i gjuetisë për periudhën 2019-2020

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka marrë vendimin për mbylljen e sezonit të gjuetisë për periudhën 2019 – 2020. Sezoni i gjuetisë për të gjitha llojet e kafshëve të egra në tërë territorin e Republikës së Kosovës, do të mbyllet me 18 shkurt të këtij viti.

Mbyllja e sezonit të gjuetisë është bërë me kërkesën e Departamentit të Pylltarisë në MBPZHR, i cili ka vlerësuar se ka zvogëlim të kafshëve të egra, krejt kjo si pasojë e gjuetisë ilegale, degradimit të habitateve natyrore, sidomos pyjeve, kushteve të pavolitshme klimatike dhe për shkak të menaxhimit joefikas të faunës së egër. 

“Këtë vendim obligohet që ta zbatojnë Agjencia Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, menaxherët e vendgjuetive, si dhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural”, thuhet në komunikatën e MBPZHR’së drejtuar mediave.

Ndryshe, sezoni i gjuetisë për periudhën 2019-2020, ishte hapur më 13 tetor të vitit 2019 dhe organizimi i gjuetisë gjatë kësaj periudhe është bërë nga menaxherët e vendgjuetive nën mbikëqyrjen e e MBPZHR-së dhe komunave.

(Kosova Sot Online)