Zbardhen arsyet: Ja pse po dështon Kosova në luftën kundër “jakave të bardha”

  • 11 February 2020 - 07:51
Zbardhen arsyet: Ja pse po dështon Kosova në luftën kundër  “jakave të bardha”

“Në aspektin politik kërkohet bashkëpunim e bashkërenditje e ngjeshur e Qeverisë ,Këshillit Gjyqësor e të Këshillit Prokurorial si dhe e modifikimeve të jo pak provizioneve juridike të legjislacionit primar e rrjedhimisht të legjislacionit sekondar. Ato institucione duhet të investojnë energji pozitive të fuqishme e të sinqerta në të mirë të aplikimit të ligjit në fuqi. Krejt çfarë veprohet ndryshe konsiston në dokrra të zbrazëta”, thotë Smaka për “Kosova Sot Online”.

Mosfunksionimi i pavarur dhe efikas i drejtësisë kosovare, po vazhdon të mbetet një nga dobësitë thelbësore të shtetit të Kosovës në këto dy dekada, e sidomos në këto 13 vjet të periudhës pas shpalljes së pavarësisë.

Për dallim nga shtetet fqinje në rajon, drejtësia e të cilave ka arritur të nxjerr në bankën e të akuzuarve për krim dhe korrupsion edhe zyrtar të lartë të shtetit, siç është rasti Sanader në Kroaci, në Kosovë akoma nuk e kemi asnjë zyrtar të nivelit të lartë të shtetit të gjykuar dhe ndëshkuar me burg dhe konfiskim të pasurisë.

Gjykata kroate ka vendosur që pos parave që janë në llogaritë e tij, të gruas, të vajzave të tij dhe të miqve, familjes Sanader do t’u merren edhe veprat artistike të gjetura në shtëpi, ngase e gjithë kjo pasuri konsiderohet të jetë fituar në mënyrë të kundërligjshme.

E një model të tillë kërkohet të zbatohet edhe nga drejtësia kosovare, në qeverisjen e koalicionit LVV-LDK me kryeministër Albin Kurtin.

Këtë ndryshim rrënjësor në qasjen e drejtësisë kundër krimit dhe korrupsionit, e kërkon edhe profesori i i së drejtës, Riza Smaka, sipas të cilit Kosova ka legjislacion të standardeve evropiane për ta instaluar shtetin e së drejtës, por nuk ka bashkëveprim dhe koordinim të duhur ndërinstitucional.

Image
Riza Smaka

“Për tu luftuar seriozisht korrupsioni në vendin tonë ndër të tjera kërkohet aktivitet permanent i bashkërenditur i organeve të policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Paralelisht me ato organe e institucione kërkohet bashkëveprim i pandërprerë i agjensioneve publike në funksion të anti-korrupsionit, në radhë të parë të Avokatit të Popullit e të Auditorit të Përgjithshëm, Bankës Qendrore, Komisionit Anti-Korrupsion”, thotë Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas profesorit Smaka, mungesa e koordinimit ndërinstitucional në luftimin e krimit dhe korrupsionit në vend, çojnë në dështimin e drejtësisë.

“Në aspektin politik kërkohet bashkëpunim e bashkërenditje e ngjeshur e Qeverisë ,Këshillit Gjyqësor e të Këshillit Prokurorial si dhe e modifikimeve të jo pak provizioneve juridike të legjislacionit primar e rrjedhimisht të legjislacionit sekondar. Ato institucione duhet të investojnë energji pozitive të fuqishme e të sinqerta në të mirë të aplikimit të ligjit në fuqi. Krejt çfarë veprohet ndryshe konsiston në dokrra të zbrazëta”, shton profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë, Smaka pret që ekzekutivi i ri ta ndryshojë qasjen, dhe ta stimulojë luftën e pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit edhe në nivelin e lartë të shtetit.

“Prandaj kjo duhet të fillon të dëshmohet, qoftë edhe me disa aksione simbolike, sikur ishte rasti i para dy tre ditëve i zyrtarit të Departamentit për Krime Ekonomike. Megjithatë ia vlen që kohë pas kohe të intervenohet publikisht për hir të efekteve në opinion por në radhë të parë kundër pasanikëve të dyshimtë, të funksionarëve të korruptuar paralelisht edhe kundër kleptomanëve ca më të imtë”, përfundon profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)