Alarmi për Kosovën: Kështu duhet të përgatitet fshesa e madhe në drejtësinë kosovare

  • 11 February 2020 - 13:41
Alarmi për Kosovën: Kështu duhet të përgatitet fshesa e madhe në drejtësinë kosovare

“Masa të përkohshme të menjëhershme, ushtrues detyre në prokurori, gjykata, polici dhe AKI. Përgatitja e bazës juridike për fillimin e Vettingut dhe nga vjeshta veprim i "fshesës së hekurt". Të fillohet nga njësitet bazike, prokurori dhe gjykata themelore ,polici hetuese dhe pastaj nga themeli i fortë të ngritën institucione të qëndrueshme dhe stabile. Duhet të veprohet edhe drejtë emërimit ligjor të titullarëve të institucioneve qendrore ATK, Dogana. Njësiti i Inteligjencës Financiare dhe Agjenci kundër Korrupsionit. Depolitizim i skajshëm, profesionalizëm dhe depolitizim”, thotë Preteni për “Kosova Sot Online”.

Shteti i Kroacisë, respektivisht drejtësia kroate e ka dënuar ish-kryeministrin e këtij vendi, Ivo Sanader me nëntë vite burg për aferat e tij korruptive sa ka qenë në pushtet, duke marr vendim edhe për konfiskimin e pasurisë së tërë familjes së tij.

Gjykata ka vendosur që pos parave që janë në llogaritë e tij dhe të gruas, të vajzave të tij dhe të miqve, familjes Sanader do t’u merren edhe veprat artistike të gjetura në shtëpi, ngase e gjithë kjo pasuri konsiderohet të jetë fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Ky model i pastër dhe krejtësisht i pa ndikuar nga politika, sipas njohësve të së drejtës duhet të instalohet së më shpejtë edhe në Republikën e Kosovës, ngase krimi dhe korrupsioni i nivelit të lartë po e lë mbrapa në zhvillim, por edhe në perspektivën evropiane shtetin më të ri në botë.

Shpresat për instalimin e një modeli të drejtësisë kroate, apo model tjetër të shteteve që nuk e kanë drejtësinë të ndikuar nga politika, mbetet në reformat që duhet të ndërmerr sipas premtimeve të dhëna Qeveria Kurti.

Image
Hasan Preteni

“Vetëm vullnet politik, se ka mostra e modele gjithandej. Nuk ka nevojë të shpiket uji i nxehtë. Kroacia e ka organizimin e veçantë institucional, e ka prokurime e veçantë kundër korrupsionit në tri nivele, i kanë edhe gjykatat gjithashtu në tri nivele, i kanë edhe hetuesit dhe profesionistët anti-korrupsion. USKOK është emërtimi i përbashkët i këtyre institucioneve. Ky mekanizëm ka proceduar shumë raste, shumë prokurorë, gjyqtarë dhe avokat. E ka "trajtuar" edhe kryetarin e Zagrebit, ish kryeministrin, biznesmenin më të madh të Kroacisë, menaxherin dhe pronarin e klubit më të madh futbollistik-Dinamon, menaxherin e firmës më të madhe tregtare të privatizuar dhe shumë e shumë zyrtar dhe ish zyrtar”, thotë eksperti i anti-korrupsionit, Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, Kosova mundë të merr modele të mira edhe nga fqinjët më të afërt, Mali i Zi dhe Shqipëria, që po ashtu janë duke ndërtuar një sistem të ashpër, të patër dhe efikas të sundimit të ligjit. 

“Mali i Zi tani e ka formuar prokurorinë speciale anti-korrupsion dhe veç i ka filluar disa raste që kanë të bëjnë me ndërtimet në bregdet, e kanë burgosur dhe po e trajtojnë vëllamin e Svetozar Maroviqit ( personi i dytë në partinë e Gjukanoviqit dhe ish kryetarin e federatës Serbo-Malazeze). Shqipëria definitivisht po lëvizë, Vetting që e pastroj "gjyqësorin" dhe e stabilizoj nga frika skenën politike. Pra kërkohet vetëm vullnet politik, jo deklarativ por real dhe veprues”, shton Preteni për “Kosova Sot Online”.

Më tej, sipas Pretenit për ta përshpejtuar ndryshimin pozitiv në institucionet kosovare të sundimit të ligjit, derisa të fillojë zbatimi i Veting-ut, nevojitet të ndërmerren disa masa urgjente të përkohshme për ndryshim.

“Masa të përkohshme të menjëhershme, ushtrues detyre në prokurori, gjykata, polici dhe AKI. Përgatitja e bazës juridike për fillimin e Vetting-ut dhe nga vjeshta veprim i "fshesës së hekurt". Të fillohet nga njësitet bazike, prokurori dhe gjykata themelore, polici hetuese dhe pastaj nga themeli i fortë të ngritën institucione të qëndrueshme dhe stabile. Duhet të veprohet edhe drejtë emërimit ligjor të titullarëve të institucioneve qendrore ATK, Dogana. Njësiti i Inteligjencës Financiare dhe Agjenci kundër Korrupsionit. Depolitizim i skajshëm, profesionalizëm dhe depolitizim”, shprehet Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, vetëm me respektimin e llogaridhënies dhe transparencës do të zhduket edhe nepotizmi, kurse Kuvendi duhet të jetë aktiv në funksion të nxjerrjes dhe të monitorimit të zbatimit të ligjeve, si dhe të mbikëqyrjes së funksionimit të institucioneve të pa varura.

“Kuvendi të punoj jo vetëm në nxjerrjen e ligjeve por edhe në mbikëqyrjen e mekanizmave të pavarur. Detyrim për të raportuar në seanca plenare. Të gjithë ata titullar që nuk ja arrijnë ti prezantojnë rezultatet e punës të ju ndërpritet mandati dhe të zëvendësohen me të tjerët, pa përkatësi partiake, pa familjarizim por profesional dhe të dëshmuar ndër vite”, thotë eksperti i anti-korrupsionit Hasan Preteni.

“Tek pjesa politike është e domosdoshme që të angazhohet zyra e Auditorit Kombëtar që ti kontrolloj pasqyrat financiare të ish qeverisë kurse ministrat në takimin e radhës të qeverisë të raportojnë për të gjeturat, si i kanë gjetur ministrit. Me vullnet politik veprues gjërat mundë të ndryshojnë jo shpejt por me kualitet. Plani i veprimit duhet të përgatitet dhe respektohet. Qeverisë i duhet vetëm një -dy veprime konkrete dhe perceptimi qytetare do shënon rritje”, përfundon Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)