Analiza e fortë: Ja si duhet të veprojë Kurti me taksën, Thaçi, Veseli, Haradinaj e Limaj...

  • 11 February 2020 - 16:58
Analiza e fortë: Ja si duhet të veprojë Kurti me taksën, Thaçi, Veseli, Haradinaj e Limaj...

“Ata që deri dje, me tërë qenien e tyre njerëzore mashtruan, tradhtuan, vodhën, degraduan e shtypën, tani po na dalin si engjëj, duke e akuzuar Kurtin për devijim nga premtimet e tij elektorale dhe duke e etiketuar si mashtrues. Këta njerëz, duke filluar, nga z, Thaçi, tek Veseli, Haradinaj, Limaj, po dalin shumë qesharak para popullit, sepse populli e din kush është mashtruesi dhe atë mashtrues patologjik. Mashtrimet e këtyre njerëzve, e quan Kosovën në prag të copëtimit, derisa rajoni po integrohej në NATO”, thotë Aliu për “Kosova Sot Online”.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka reaguar ndaj Qeverisë dhe kryeministrit, Albin Kurtit, lidhur me paralajmërimin e heqjes së takës 100% ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, dhe duke e zëvendësuar atë me masën e reciprocitetit.

Reagimi i shpejtë dhe i fuqishëm ndaj Kadri Veselit lidhur me këtë çështja ka ardhur menjëherë nga Përfaqësuesi Special Presidencial i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, i cili nëpërmes llogarisë së tij në Tëitter i ka thënë Veselit se Kurti ka plotësisht të drejtë në qëndrimin e tij për suspendimin e tarifës 100% ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia, sepse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar heqjen e saj dhe t’i hapet rrugë dialogut.

E lidhur me këtë situatë të krijuar, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Hysni Aliu.

Sipas Aliut, Kurti e ka mandatin e plotë qytetar për të vepruar, edhe kur është fjala lidhur me pezullimin e taksës, pasi që një opsion të tillë VV-ja e ka shpalosur edhe gjatë fushatës zgjedhore si pikë të programit qeverisës, dhe kjo qasje tani më po e merr edhe mbështetjen nga SHBA-të.

Image
Hysni Aliu

“Qeveria Kurti, është formuar në përputhje të plotë me votën e sovranit, i cili votoi për largim nga mënyra e vjetër e qeverisjes. Për fat të keq, kemi ende presidentin i cili përfaqëson gardën e vjetër dhe do të jetë sfiduese për procesin e ndryshimeve në qeverisjen e vendit. Faktori ndërkombëtare, ka qenë tepër i durueshëm me njerëzit që qeverisën në 20 vitet e kaluara, ndërsa e vërejtëm që edhe ata në fund thanë mjaftë është mjaft. Për fat të keq, qeveria Kurti, po hase në vështirësi që në hapat e parë të qeverisjes, sepse përpara ka një kaos të lënë mbrapa nga ata që qeverisën deri dje. Sfidat janë të brendshme dhe të jashtme, sfidat në raport me fqinjët, sfidat kombëtare, dhe sfidat që ndërlidhen me historinë më të re të Kosovës. Ata që deri dje, me tërë qenien e tyre njerëzore mashtruan, tradhtuan, vodhën, degraduan e shtypën, tani po na dalin si engjëj, duke e akuzuar Kurtin për devijim nga premtimet e tij elektorale dhe duke e etiketuar si mashtrues. Këta njerëz, duke filluar, nga Thaçi, tek Veseli, Haradinaj e Limaj, po dalin shumë qesharak para popullit, sepse populli e din kush është mashtruesi dhe atë mashtrues patologjik. Mashtrimet e këtyre njerëzve, e quan Kosovën në prag të copëtimit, derisa rajoni po integrohej në NATO. Nuk i harron populli, lidhjet e tyre me Vuqiqin, me bosët e krimit në veri, të cilët luftoheshin vetëm nëse prekshin në dominimin e tyre politik, dhe kur nëse njëri tentonte ti arrestonte, tjetri de klasifikonte aksionet e ROSU-s. Këta shkelën mbi gjakun e atyre që i patën më të dashurit, duke bërë aleancë me vrasësit e familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre”, thotë analisti politik, Hysni Aliu për “Kosova Sot Online”. 

Sipas tij, kur ambasadorët e shteteve mike detyrohen të dalin nga petku i tyre diplomatik, për të kritikuar haptas individët me ndikim siç janë Veseli apo Haradinaj, kjo është një kambanë alarmi për shtetin dhe shprehje e humbjes së durimit të shteteve mike me këta politik bërës.

“Zotëri Veseli, Thaçi e Limaj, më së pakti kanë të drejtë të kritikojnë z. Kurti në raport me taksën ndaj Serbisë, sepse ata ishin tepër të paqëndrueshëm në raport me këtë problematikë, ku edhe vetë pas një kohe të shkurtër, filluan ta kundërshtojnë atë për të cilën u pajtuan në fillim. Është e turpshme, që z. Veseli, të komentoj në tviterin e z Grenell, për një kaos që këta me çmendurinë e tyre vetë e shkaktuan”, shton Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, në prapaskenën e taksës kanë qëndruar miqtë ndërkombëtar, dhe me kërkesën e tyre edhe duhet të suspendohet.

“Taksa ndaj Serbisë, që për mendimin tim u vendos nga Gjermania e Britania e Madhe, ka arritur efektin e vetë, në nxjerrjen në pah të katastrofës që i kërcënohej Kosovës por edhe Evropës nga negociatat Kosovë-Serbi. Në vend që Kosova ti bashkëngjitej rajonit në integrimet në NATO, duke u ofruar me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, Kosova bëri hap tragjik, duke e vënë në pikëpyetje integritetin e saj territorial, dhe në këtë mënyrë, në afat më të gjatë, edhe shtetësinë e vetë, pore edhe strategjinë perëndimore për Ballkanin. Opozita, duhet të filloj të punoj për shtetin e vetë, duke e kthyer besimin e humbur, me punën e mirë dhe me konstruktivitetin e vetë, apo edhe me kritika të cilat mund ti kuptoj një mendje e shëndoshë, sepse ashtu do ta qonin amanetin e dëshmorëve në vend, por edhe do të fillonin ta kthenin besimin në popull, si të penduar për atë që i bënë këtij populli e shteti për 20 vite”, shprehet për “Kosova Sot Online”, analisti politik, doktor Hysni Aliu.

Përndryshe sipas Aliut çdo tendencë e tyre për ta penguar Kosovën në rrugën e kthimit në normalitet, do iu kthehet pikërisht atyre si bumerang nga populli, por edhe nga miqtë tanë perëndimorë.

“Të cilët do t’i izolojnë, duke i bërë plotësisht te të pa vlerë sa i përket ndikimit të tyre politik në vend e rajon. Kurti, duhet ta di, që më shumë se për asgjë tjetër, ka nevojë për njerëz me mendje të ngritur, ekspert të fushave të caktuara, të cilët do punonin natë e ditë në çështjen e dialogut me Serbinë. Ky dialog është si një virus, të cilin nuk mund ta shmangësh, andaj duhet të ballafaqohesh me të, në mënyrë që të dalësh fitues. Një gjë që është për tu përkrahur tek qasja e Kurtit për heqjen e taksës ka të bëjë me deklarimet e z. Kurti se do të konsultohet edhe me bizneset në lidhje me taksën, kur në e dimë që biznesmenët tanë janë më së shumti përgjegjës për harrimin e historisë së afërme, dhe asaj që na bëri Serbia, duke u lidhur pafytyrësish me armikun që natë e ditë punon për shkatërrimin e shtetit tonë. Kurti, duhet të formoj një grup të posaçëm, i cili do punonte me biznesmenët që edhe nëse hiqet taksa, ata të sillen si atdhetar të vërtetë dhe të mos i kthehen tregut serb, pra duhet të nxitet atdhedashuria tek njerëzit që udhëheqin me ekonominë e vendit”, thekson doktor Hysni Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Aliut, mesazhet që vijnë nga SHA-ja duhet të merren seriozisht, dhe këtë e bëjnë vetëm politikanët e përgjegjshëm dhe me vizion.

“Në momentin që presidenti Trump, shkruan për Kosovën, atëherë, kjo duhet të jetë kambanë alarmi për gjithë politik bërësit e Kosovës, që diçka e madhe po sillet rreth nesh, dhe diçka e madhe do të ndodhë në të ardhmen e afërt, andaj duhet të jemi vigjilent. Unë besoj që, udhëheqësit kryesor të partive politike në Kosovë, duhet të ftohen në SHBA, në mënyrë që të informohen nga afër me planet e administratës Trump, në mënyrë që, njerëzit kryesor të politik bërjes në Kosovë ta dinë se çka po planifikohet, ku është fillimi e si do të jetë mbarimi i këtyre negociatave, në mënyrë që fjala dhe vepra e secilit nga ta të goditë në një vend, pra aty ku thonë SHBA të. Kosova, tani ka rastin te zgjedh në mes politikës Trump dhe asaj Evropiane, pra, leje ose merre”, përfundon doktor Hysni Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)