Marrëveshja për hekurudhat, Grenell nis takimin me Thaçin në Munih

  • 13 February 2020 - 21:16
Marrëveshja për hekurudhat, Grenell nis takimin me Thaçin në Munih

Takimi i paralajmëruar ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka nisur në mbrëmjen e së enjtes.

Takimi Thaçi-Grenell po zhvillohet në Bavari, ku që të dy kanë shkuar për të marrë pjesë në Konferencën e Munihut për Siguri.

Thaçi e Grenell pritet të flasin për dialogun mes palës kosovare dhe asaj serbe, si dhe për hapat e ardhshëm drejt arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë, dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu, temë bisede mes dy figurave do të jetë edhe marrëveshja Kosovë-Serbi për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd, që është ndërmjetësuar nga Amerika.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar sot se kjo marrëveshje do të nënshkruhet nesër, e premte.

Vuçiq e ka takuar Grenellin para se diplomati i lartë amerikan të takohej me Thaçin.

(Kosova Sot Online)